Lidhje

Dhëndri i presidentit dhe projektet fitimprurëse të familjes Kushner


Dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner po tërheq përsëri vëmendjen e medias. Motra e tij ndodhet në Kinë ku po përpiqet të tërheqë investitorë të pasur të blejnë apartamente luksoze në një kompleks pranë Nju Jorkut, për të përfituar nga programi që u ofron shtetasve të huaj mundësinë të marrin të drejtën e banimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara nëse investojnë të paktën 500 mijë dollarë në SHBA.

Nicole Kushner Meyer, motra e një prej këshilltarëve kryesorë të presidentit në Shtëpinë e Bardhë, foli të dielën me investitorë në Shangai, një ditë pas takimeve për të bindur investitorë në Pekin. Në një hotel në Pekin ku ishin mbledhur rreth 100 vetë, ajo u tha të pranishëmve se projekti me vlerë 976 milionë dollarë që parashikon ngritjen e dy kullave binjake me 66 kate dhe afro 1500 apartamente, “është shumë i rëndësishëm për mua dhe familjen time”.

Ajo përmendi në atë takim edhe të vëllain, bashkëshortin e Ivanka Trumpit, që kishte qenë shef ekzekutiv i kompanisë, por kishte hequr dorë nga posti për t’u bërë pjesë e stafit të Presidentit Trump.

Emri i Jared Kushner nuk u përmend drejtpërdrejt në lidhje me administratën Trump në takimin në Pekin, por afishet që reklamonin projektin e investimeve shkruanin “Qeveria e mbështet; Një Kompani e Mirënjohur e Ndërton”.

Zonja Meyer kërkonte të tërhiqte investitorë që mund të përfitojnë në bazë të programit EB-5 që u ofron investitorëve të pasur mundësinë të sigurojnë banim të ligjshëm në SHBA nëse investojnë të paktën 500 mijë dollarë dhe krijojnë 10 vende pune.

Një nga broshurat për reklamimin e kompleksit shkruante: “Investo $500,000 dhe imigro në SHBA”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG