Lidhje

Jared Kushner në skenën diplomatike

  • PETER HEINLEIN

Dhëndri i Presidentit Donald Trump, i cili është edhe një ndër këshilltarët e tij kryesorë, ka qenë në qendër të vëmendjes këtë javë, pasi mori fjalën para një grupi me drejtues të fuqishëm kompanish dhe pasi po kryeson një mision diplomatik në Lindjen e Mesme.

36-vjeçari Kushner, një biznesmen i fuqishëm në tregun imobiliar të Nju Jorkut ishte shumë i angazhuar në fushatën e zotit Trump vjet. Së bashku me familjen ai është vendosur në Uashington dhe tani është bërë edhe më aktiv në skenën politike. Disa kritikë të zotit Trump thonë se kjo është një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga hetimet që kanë në shenjestër zyrtarë të administratës.

Procesi i Paqes në Lindjen e Mesme

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se vizita e delegacionit të administratës në Izrael pason turneun e zotit Trump në këtë rajon muajin e kaluar si dhe synon të çojë përpara procesin “e paqes dhe ndryshimeve graduale në drejtimin e duhur”. Jared Kushner dhe Jason Greenblatt, përfaqësuesi special i administratës për negociata ndërkombëtare, të dy të besimit hebraik që ndjekin me rigorozitet rregullat e fesë së tyre, kanë shoqëruar presidentin në takimet me mëparshme me udhëheqësit Abbas dhe Netanyahu.

Roli më i spikatur që po luan zoti Kushner shihet si përpjekje e administratës për të rikthyer një imazh stabiliteti, pas goditjeve të njëpasnjëshme si për shembull spekulimet se ku janë përqëndruar hetimet e prokurorit të posaçëm që po drejton hetimet mbi rolin që ka luajtur Rusia në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Por edhe vetë Jared Kushner ka qenë në shenjestër të vëmendjes për kontaktet e tij me zyrtarë rusë gjatë fushatës presidenciale. Javën e kaluar gazeta Washington Post njoftoi se edhe bizneset e dhëndrit të presidentit po analizohen dhe hetohen nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Jared Kushner ka thënë se do të bashkëpunojë me hetimet dhe ditët e fundit ka marrë një avokat të njohur për ta përfaqësuar.

Mungesë Eksperience në Role Diplomacie

Studiues dhe analistë të administratave presidenciale dhe institucioneve publike po analizojnë rolin e Jared Kushnerit në administratën aktuale. Elaine Kamarck, studiuese në Institutin Brookings në Uashington dhe autore e librit Përse Dështojnë Presidentët, thotë se është shumë problematike mungesa e eksperiencës në sektorin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare nga ana e zotit Kushner.

“Ky president, më shumë se presidentë të tjerë në dekadat e fundit, ka nevojë për dikë që e di mirë si funksionon qeveria. Jared Kushner nuk është personi i duhur”.

Zyrtarë të administratës thonë se nuk është hera e pare që zoti Kushner prezantohet me problemet e Lindjes së Mesme. Familja e tij ka kontakte të afërta me kryeministrin izraelit.

Por zonja Kamarck thotë se mungesa e eksperiencës në punët e administrimit të shtetit do të jetë një pengesë e madhe për zotin Kushner nëse përpiqet të zgjidhë një konflikt ku kanë dështuar gjenerata të tëra diplomatësh, ndër të cilët disa nga më të talentuarit e botës.

Arritja e një marrëveshjeje, shumë e vështirë

Dhëndri i presidentit vuri këtë javë në provë talentin e tij të elokuencës. Ai foli para një grupi me drejtues kompanish teknologjike mbi nevojën për të modernizuar qeverinë.

"Do të shpalosim fuqinë krijuese të sektorit privat për t’u ofruar qytetarëve shërbime në mënyra që nuk janë praktikuar më parë,” tha Jared Kushner duke lexuar nga fjalimi i parapërgatitur, para një grupi ku përfshihej shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, dhe shefi ekzekutiv i kompanisë Alphabet. Të dy ata kanë folur me kritika ndaj politikave të administratës aktuale ndaj ngrohjes globale dhe imigracionit.

Ndërkohë njoftohet se Kina ka ftuar Jared Kushner dhe bashkëshorten e tij, vajzën e presidentit, Ivanka për një vizitë. Grupi mediatik Bloomberg News e shikon këtë ftesë si dëshmi e rritjes së influencës së zotit Kushner në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG