Lidhje

Kushner, thirrje palestinezëve të miratojnë planin e ri ekonomik


Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner tha të martën se plani i ri ekonomik që nxit begatinë e palestinezëve duhet të miratohet prej tyre si parakusht i domosdoshëm për paqen.

Duke folur të martën në hapje të një konference ekonomike në Bahrein për të ringjallur procesin e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve, zoti Kushner tha gjithashtu se palestinezët nuk mund të arrijnë begatinë pa një zgjidhje të drejtë politike.

"Rënia dakord për një rrugë ekonomike drejt së ardhmes është një parakusht i domosdoshëm për zgjidhjen e çështjeve politike të pazgjidhura më parë," tha zoti Kushner. "E thënë më qartë, rritja ekonomike dhe begatia për popullin palestinez nuk janë të mundshme pa një zgjidhje të qëndrueshme politike të konfliktit - një zgjidhje që garanton sigurinë e Izraelit dhe respekton dinjitetin e popullit palestinez", tha ai.

Kushner, dhëndërr i Presidentit të SHBA, Donald Trump, tha se zgjidhjet politike nuk do të shtrohen në takimin dy-ditor, por pohoi nevojën për ta bërë këtë më vonë.

Plani ofron 27 miliardë dollarë ndihmë për palestinezët, pjesa më e madhe e të cilave do të financohen nga shtete të pasura arabe të udhëhequra nga Arabia Saudite. Rreth 23 miliardë dollarë do të rezervohen për shtetet më të varfra arabe që kufizohen me Izraelin, si Libani, Jordania dhe Egjipti.

Aleatët e SHBA në Lindjen e Mesme po marrin pjesë në konferencën "Paqe për begatinë" që u iniciua nga zoti Kushner, por aktorët kryesorë nuk kanë shkuar.

Autoriteti palestinez po e bojkoton konferencën, duke deklaruar se plani është i dështuar qysh para se të fillojë.

Izraeli gjithashtu nuk po merr pjesë në konferencë, për shkak të kundërshtimit arab ndaj normalizimit të marrëdhënieve para se të zgjidhet problemi palestinez.

Zoti Kushner vendosi të ndërmarrë qasjen e re pasi administratat e mëparshme të SHBA u përpoqën por nuk arritën të zgjidhnin çështjet më të mprehta të konfliktit: kufijtë, refugjatët palestinezë, vendbanimet hebraike dhe statusi i Jerusalemit.

Administrata e Presidentit Trump beson se begatia ekonomike do të jetë me përfitim për të gjithë rajonin dhe do të frenojë ekstremizmin, por palestinezët thonë se nuk mund të blihen dhe se atdheu i tyre nuk mund të vihet në shitje.

BOJKOTI PALESTINEZ

Palestinezët dhe mbështetësit e tyre kanë protestuar kundër konferencës dyditore në Bahrein, ku Shtetet e Bashkuara prezantuan planin e tyre për paqe në Lindje të Mesme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur planin e krijuar nga dhëndrri i tij, si marrëveshja e shekullit për palestinezët.

Por nuk është ende e qartë nëse plani ekonomik mund të zbatohet pa një zgjidhje politike. Palestinezët e kanë bojkotuar Uashingtonin që kur Presidenti Trump njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017.

Protestuesit marrshuan të hënën në Bregun Perëndimor, një ditë përpara konferencës së organizuar nga Shtetet e Bashkuara për Lindjen e Mesme, në kryeqytetin e Bahreinit, Manama.

Mijëra përkrahës ishin edhe në rrugët e kryeqytetit të Marokos, Rabat.

“Shtetet, individët, qeveritë dhe institucionet që marrin pjesë në konferencë kanë zgjedhur kampin e tradhtarëve”, thotë një protestues.

Edhe midis vetë vendeve pjesëmarrëse ka opinione të ndryshme për takimin, që njihet edhe si “Paqe drejt Begatisë” .

Arabia Saudite, Katari, Emiratët e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania dhe Izraeli kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por nuk kanë dërguar zyrtarët e tyre më të lartë.

Shtetet e Bashkaura përfaqësohen nga sekretari i thesarit, Steven Mnuchin dhe dhëndrri i presidentit Trump, Jared Kushner, që është edhe hartues i planit.

“Plani do të investonte rreth 50 miliardë dollarë në rajon. Do të krijonte miliona vende pune në Bregun Perëndimor dhe në Gazë. Shkalla e papunësisë nga 30 për qind do të binte në vlera njëshifrore. Do të përgjysmohej shkalla e varfërisë nëse zbatohet si duhet. Është plan 10 vjeçar.”

Administrata e zotit Trump e ka cilësuar takimin në Bahrein si mundësi për palestinezët që të kenë qasje në miliarda dollarë investime, në këmbim të paqes me Izraelin. Udhëheqësit palestinezë e kanë dënuar planin ekonomik amerikan, duke thënë se ai synon to mohojë atyre shtetin e pavarur.

“Ajo që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po mundohen të bëjnë është normalizimi i marrëdhçënieve me arabët, në kurriz të palestinezëve. Kjo është e papranueshme, gjë që e kundërshtojmë plotësisht. Sot është ditë zemërimi. Palestinezët kudo, janë të bashkuar pas udhëheqjes së presidentit Abaz”, tha kryeministri i autoritetit palestinez Mohammad Shtayyeh.

Kritikët thonë se administrata e presidentit Trump duket se po përpiqet ta heqë “çështjen e palestineze” nga duart e palestrinezëve dhe t’ua kalojë atë vendeve arabe që gjithnjë e më shumë po miqësohen me Izraelin. Shumë thonë se një plan që injoron synimin e palestinezëve për një shtet të pavarur nuk ka mundësi të ketë sukses.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG