Lidhje

A ishte udhëheqësi laburist Corbyn informator i komunistëve?


Një ish-spiun çek, i cili u dëbua nga qeveria britanike në vitet 1980, pretendon se udhëheqësi britanik i opozitës Jeremy Corbyn, ishte një nga 15 informatorët e tij mes ligjvënësve të Partisë Laburiste me të cilët takohej rregullisht kur ndodhej në Londër. Sipas ish-spiunit, ata e dinin që ai ishte një oficer i shërbimeve të fshehta dhe jo një diplomat.

Pretendimet e Jan Sarkocy-t, i cili thotë se politikanët e Partisë Laburiste paguheshin për takimet e tyre sekrete me spiunë komunistë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, janë kundërshtuar ashpër nga zoti Corbyn dhe ligjvënësit e tjerë të kësaj partie të përmendur nga ish-spiuni, përfshirë dhe ish-kryebashkiakun e Londrës Ken Livingstone.

Sipas tyre pretendimet janë "gënjeshtra" që ngjajnë më shumë me një variant të keq të filmit James Bond. Ata e quajtën ish-agjent çek, i cili tani jeton në kryeqytetin sllovak të Bratislavës, një "fantazist".

Sipas Svetlana Ptacnikovas, drejtore e Arkivave të Forcave të Sigurisë çeke, ku mbahen dokumentet e shërbimit të zbulimit së periudhës komuniste, në dosjet që ajo ka parë nuk tregohet se zoti Corbyn të ishte regjistruar si një bashkëpunëtor apo agjent.

Në Britani konservatorët në pushtet, i kanë kërkuar zotit Corbyn të shpjegojë me hollësi qëndrimin e tij ndaj ish bllokut sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Disa dokumente të publikuara nga gazetat britanike konfirmojnë takime të zhvilluara në mes të viteve 1980 midis zotin Corbyn dhe zotit Sarkocy, që punonte si diplomat në ambasadën çeke në kryeqytetin britanik. Ai njihej me emrin Jan Dymcic përpara se të dëbohej në vitin 1989. Zoti Sarkocy-t thotë se arkivat çeke nuk kanë të dhëna të plota pasi sipas tij shumë dokumente janë zhdukur.

Disa ligjvënës po kërkojnë një hetim parlamentar mbi këtë çështje. Ish-kryetari i komitetit të zbulimit dhe sigurisë të parlamentit britanik Malcolm Rifkind, tha se "nëse këto dokumente janë të vërteta, sikurse duket të jenë, ky përbën një rast serioz për zotin Corbyn që të përgjigjet".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG