Lidhje

Lajmet e rreme shtyjnë një 28-vjeçar të sulmojë me armë


Policia e Uashington njoftoi se arrestoi dje personin i cili kishte qëlluar me armë brenda një picerie. Sipas të pandehurit ai kishte shkuar aty për të hetuar një teori konspiracioni që ishte shpërndarë nëpërmjet lajmeve të rreme gjatë fushatës presidenciale. Lajme të tilla të pasakta, për të dy kandidatët, u bënë të pranishme gjatë fushatës elektorale të shpërndara nëpërmjet mediave sociale. Incidenti i djeshëm ndodhi në restorantin “Comet Ping Pong Pizza” për të cilin një lajm i rremë thoshte se ishte përfshirë në një aktivitet pedofilie të lidhur me kandidaten Clinton. Pronari i restorantit tha se ka marrë vazhdimisht kërcënime me vdekje që kur u përhap një lajm i tillë.

“Këto histori janë krejtësisht false. Ajo që ndodhi sot tregon se nxitja e teorive të rreme të konspiracionit ka pasoja.”

Pronari i restorantit shton se të gjithë duhet të dënojnë përhapjen e akuzave keqdashëse dhe krejtësisht të pavërteta.

Policia tha se 28-vjeçari Edgar Maddison Welch hyri në restorant dje pasdite duke kërcënuar me armë një punonjës dhe më vonë qëlloi me armë. Punonjësit dhe klientët braktisën restorantin dhe e gjithë zona u bllokua. Nuk pati të lënduar.

Policia njoftoi se gjeti edhe dy armë të tjera brenda restorantit dhe në makinën e zotit Welch, i cili tashmë akuzohet për sulm me armë.

Ndër personat që përhapën teorinë e konspiracionit të mbiquajtur “Pizzagate” është edhe Michael G. Flynn, i biri i këshilltari të sigurisë kombëtare të Presidentit të zgjedhur Trump. I riu Flynn, i cili ka punuar edhe si këshilltar i të jatit, shkruajti të dielën në Twitter se “Derisa ‘Pizzagate’ të provohet e gënjeshtërt, do të vazhdojë të tregohet”.

Teoria “Pizzagate” bazohet në disa prej email-eve të nxjerra në Wikileaks ku menaxheri i fushatës Clinton, John Podesta, diskuton me disa persona për pica. Sipas teorisë së konspiracionit, fjala “pica” përdoret si gjuhë e koduar për pedofilinë.

Nuk ka patur prova për të mbështetur këtë teori konspirative dhe policia thotë se nuk ekziston asnjë lloj hetimi për këto pretendime.

XS
SM
MD
LG