Lidhje

Vrasja e komisarit të policisë, polemika të forta në Shqipëri


Arben Frroku i arrestuar në Greqi për atentatin ndaj Lamajt, miqësi me drejtuesit më të lartë të policisë. Debate të forta në parlament mes opozitës dhe ministrit të Brendshëm

Në Shqipëri vrasja e pak ditëve me parë e kryekomisarit të policisë Dritan Lamaj po shoqërohet me polemika të shumta. Atyre ju shtuan edhe debatet politike, pas publikimit të disa fotove ku i dyshuari për vrasjen Arben Frroku, i arrestuar në Greqi, shfaqet në shoqërinë e krerëve më të lartë të policisë shqiptare. Socialistët akuzuan krerët e ministrisë se falë miqësisëme të dyshuarin hoqën Lamajn nga drejtimi I njërit prej komisariateve të Tiranës. Por ministri I brendshëm Flamur Noka u kundërpërgjigj duke thënë se Frroku në të vërtetë kishte lidhje politike sipas tij me opozitën


Emri i sipërmarrësit Arben Frrokut u përmend shpesh në media menjëherë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, ndërsa u sollën në kujtesë përplasjet e forta që të dy kishin patur me njëri tjetrin gjatë kohës kur oficeri I policisë drejtonte komisaritin e Kombinatit në Tiranë. 24 orë pas vrasjes, policia njoftoi se Arben Frroku, ishte i dyshuar për vrasjen dhe se ishte arrestuar në Greqi, pa dhënë megjithatë detaje rreth provave mbi të cilat mbështetet kjo akuzë. Në media është përmendur se një dëshmitar okular që ka qenë shumë pranë vendit të atentatit, mendohet të ketë dalluar mes vrasësve pikërisht Frrokun. Por familjarët e këtij të fundit, si dhe ai vetë sot gjatë një interviste telefonike për televizionin ABC News, nga Selaniku I Greqisë ku ndodhet i burgosur, kanë mohuar përfshirjen në vrasje.

E në këtë situatë, publikimi i disa fotove ku Frroku shfaqet në shoqërinë e krerëve më të lartë të policisë shqiptare në një restorant, bëri të shpërthenin polemika të forta. Drejtuesit e policisë të shfaqur në foto deklaruan se tërhiqeshin nga hetimi i ngjarjes, ndërsa deklaruan se fotoja e gati dy viteve më parë, ka qenë rastësore. Por vetë Frroku në deklarimet e sotme është shprehur se me krerët e policisë ka njohje dhe miqësi prej kohësh.

Publikimi I fotove tërhoqi vëmendjen e menjëhershme të politikës. Kryetari I partisë socialiste Edi Rama kërkoi dorëheqjen “edhe të ministrit, edhe të drejtorit të përgjithshëm, edhe të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm. Kjo trio është mallkimi i sotëm i Policisë së Shtetit. Kjo trio është fytyra e tradhtisë së përditshme që i bëhet Policisë së Shtetit. Kjo trio është dora e rrënimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit. Kjo trio është truri i korrupsionit dhe i kontrabandës që e ka kalbur krejt Policinë e Shtetit. Kjo trio është veshi që merr fjalë nga krimi dhe goja që i çon fjalë krimit”.

Kryeministri Sali Berisha evitoi të komentonte drejtpërdretë fotot e publikuara: “Një gjë është e sigurtë që policia ju përgjigj flakë për flakë dhe më shpejt se kurrë identifikimit të autorëve të këtij krimi të shëmtuar. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria,ka të gjithë mekanizmat për të zbardhur cdo të vërtetë rreth këtij krimi”.

Ndërsa në parlament debatet do të zhvilloheshin shumë të ashpra mes përfaqësuesve të opozitës dhe ministrit të brendshëm Flamur Noka. “Këta katër drejtuesë të lartë të policisë kanë lidhje me lëvizjen nga detyra të komisarit Dritan Lamaj. Këtë e dinë shumë mirë edhe ministrat. Kanë dijeni për skandalin e parë në këtë histori, që është lëvizja e komisarit Lamaj nga komisariati numër 6 në roje në një zyrë në drejtorinë e policisë”, deklaroi deputeti socialist Saimir Tahiri.

Por sipas ministrit Noka, fotoja ishte mëse normale dhe se lidhjet e vërteta sipas tij të të dyshuarit për vrasjen e kryekomisarit janë me opozitën: “Rezultojnë lidhje të tjera. Ti zoti Tahiri ke ngrënë darkë para 16 ditësh te Dy kullat. E gjithë historia e fotos së bërë në mars të 2011 është një histori politike për të mbrojtur ortakun tuaj. Ju e inskenuat këtë lojë të fëlliqur vetëm e vetëm për të prishur hetimet se ju del ortaku dhe aleati juaj”.

Kryekomisar Lamaj u vra në një atentat në një lagje të populluar të kryeqytetit, duke u bërë I treti oficer policie që humbet jetën brenda gjashtë muajve
XS
SM
MD
LG