Lidhje

Panairi i makinave luksoze në Gjenevë


.
.
Makinat e shtrenjta luksoze që janë prodhuar për të pasurit po paraqiten në panarin vjetor të makinave në Gjenevë. Fjala është për llojeve të tilla si Lamborghini dhe Koeningsegg deri te prodhimet më delikate Bentley dhe Rolls Royce. Pra, panairi ofron një listë të gjatë makinash luksi, të cilat mund të blihen nga të pasurit.

Ky Lamborghini Veneno është një nga prodhimet më luksoze në botë. Janë prodhuar vetëm tre makina të këtij lloji dhe ato janë shitur nga 3.9 milion dollarë madje para se të dilnin nga uzina.
Veneno që ka emrin e një demi famëkeq, është Lamborghini më i shpejtë dhe më i fuqishëm.

Veneno ka një motor 12 cilindërsh dhe punon me 7 shpejtësi.
Kjo makinë mund të arrijë 355 kilometra në orë dhe për 2.8 sekonda arrin nga 0 deri në 100 kilometra në orë.

Pjesa e jashtme e makinës është ndërtuar me fibra karbonike në mënyrë që ajo të jetë më e lehtë dhe më e shpejtë.
Makina është shumë e ulët.
Stephan Winkelmann është menaxher i Lamborghinit.

“Numri i kufizuar i këtyre makinave na jep një shkallë të lartë lirie në aspektin e projektimit. Është mundësi e mirë për të testuar materiale të teknologjisë së re. Kjo është pozitive edhe për prodhimet e tjera të Lamborghinit dhe është diçka që i bën njerëzit të ëndërrojnë. Prandaj, është gjë shumë e mirë për imazhin e Lamborghinit”.

Dy blerës amerikanë ishin në Gjenevë për të parë nga afër makinat, për të cilat ata kanë nënshkruar kontratat kohë më parë.

Antoine Dominic, pronar i një pike shitjeje të Lamborghinit në Long Island, thotë se donte ta blinte makinën ekskluzive pasi vitin e kaluar humbi shansin për të blerë një Aventador J.

Prodhimi tjetër që i bën konkurrencë Lamborghini Veneno-s, është supermakina luksoze suedeze Koenigsegg. Kompania Koenigsegg ka prodhuar supermakinën luksoze me rastin e 100 vjetorit të saj.

Agera S “Hundra” që në suedisht do të thotë 100 kushton 1.6 milion dollarë. Ajo është ndërtuar me fibra karbonike dhe është lyer me shtresa ari 24 karat.

Ashtu si supermakinat e mëparshme, Agera S ka dy motorë turbo me rreth një mijë e njëqind e katër kuaj-fuqi dhe për 2.9 sekonda arrin shpejtësinë 100 kilometra në orë.

Kjo makinë tashmë është shitur.

Rolls Royce u paraqit në panar me një makinë më delikate të quajtur Wraith.

Sipas drejtuesit të kompanisë Rolls Royce, Torsten Myler Otvos, Wraith është makina më e fuqishme që ata kanë prodhuar deri tani.

Wraith me motorrin e saj V12 me 624-kuaj fuqi mund të arrijë shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë për 4.4 sekonda.

Zoti Otvos thotë se qëllimi kryesor është tërheqja e njerëzve që preferojnë Rolls Royce-in, duke u ofruar atyre një çmim të mirë dhe përvojë të veçantë.

Çmimi i saj prej 300-mijë dollarësh është shumë i ulët në krahasim me Lamborghini Veneno-n, megjithatë është tepër i lartë për shumicën e njerëzve.

Një tjetër kompani britanike konkurron me Rolls Royce-in në tregun e makinave luksoze.

Bentley ka prezantuar një model të ri të makinës Flying Spur, që është një përmirësim i modelit të saj klasik.

Ashtu si modeli Wraith i Rolls Royce-it, edhe Bentley pretendon se ka nxjerrë në prodhim makinën më të fuqishme deri tani.

Modeli i ri Flying Spur është pak më i gjatë dhe pak më i gjerë, por edhe më i lehtë se paraardhësit e tij. Kjo makinë ka një motor të fuqishëm V12 me 616 kuaj fuqi dhe për 4,3 sekonda mund të arrijë nga 0 në 100 kilometra në orë.
Bentley ende nuk e ka konfirmuar çmimin, por ka njoftuar se makina do të dalë gjatë verës së këtij viti.

Edhe Porsche, me rastin e 50 vjetorit të saj, paraqiti një prodhim të ri, të quajtur GT3. Kjo makinë ka një motor me 475 kuaj fuqi dhe për 3.5 sekonda arrin nga 0 deri në 100 kilometra në orë.

Ajo do të hidhet në treg këtë vit me një çmim prej 130 mijë dollarësh, duke e bërë makinën me çmim më të ulët në panairin e automjeteve luksoze në Gjenevë.

Panairi i Gjenevës do të mbyllet më 17 mars.
XS
SM
MD
LG