Lidhje

Kerry: Rusia duhet të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën


Sekretari i Shtetit John Kerry i bëri dje thirrje Rusisë të tërheqë mijëra trupa që ka sjellë pranë kufirit me Ukrainën, duke thënë se këto forca po krijojnë “një atmosferë frike” brenda Ukrainës që nuk i shërben dialogut diplomatik.

Zoti Kerry i bëri komentet sot para gazetarëve, pas katër orë bisedimesh me homologun rus Sergei Lavrov në Paris.

Kryediplomati amerikan tha se si Moska, ashtu edhe Uashingtoni janë dakord në pikën që ukrainasit duhet të vendosin të ardhmen e tyre. Ai shtoi se të dyja palët kishin bërë sugjerime mbi mënyrën për të qetësuar krizën që solli aneksimi i gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Në një konferencë të veçantë për shtyp, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u përqëndrua tek ideja e decentralizimit në Ukrainë për të mbrojtur pakicat.

Zoti Lavrov hodhi poshtë dyshimet se vendosja e dhjetëra mijëra trupave ruse pranë Ukrainës është shenjë se Moska ka në plan të pushtojë këtë vend pas aneksimit prej saj të gadishullit strategjik të Krimesë.

Zoti Lavrov tha se Rusia absolutisht nuk ka në plan ose interes të kalojë kufirin e Ukrainës.

Rusia thotë se trupat pranë kufirit janë atje për manovra ushtarake dhe se nuk kanë plane pushtimi, por zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se shifrat dhe vendndodhja e trupave flasin për diçka më shumë se sa manovra.

Kerry dhe Lavrov ulen në bisedime me pikëpamje krejt të ndryshme lidhur me situatën në Ukrainë, shpjegon Profesori i Universitetit Amerikan Keith Darden. Moska, thotë ai, e analizon situatën si një rebelim me mbështetjen e Uashingtonit, i cili kërcënon interesat ruse; Uashingtoni e shikon situatën si një përpjekje pak kaotike drejt një regjimi përfaqësues.

"Për ne amerikanët, revolucioni ishte një mobilizim demokratik. Për rusët ishte një ndryshim regjimi me mbështetjen e Perëndimit. Mendoj se hendeku do të vazhdojë të ekzistojë. Ky është një dallim themelor në mënyrën se si secili nga këto dy vende e sheh botën. Ky ndryshim nuk pritet të zhduket së shpejti”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë po kërcënojnë vendosjen e sansioneve më të rënda mbi ekonominë ruse nëse trupat ruse penetrojnë më thellë në Ukrainë.
XS
SM
MD
LG