Lidhje

Gjirokastër, plagosen dy fëmijë nga plumbat qorr


Policia e Gjirokastrës njoftoi se dy fëmijë katërmbëdhjetëvjeçare u plagosën lehtë në këmbë nga të shtëna me armë zjarri që sipas policisë erdhën gjatë natës nga fshati Lazarat i Gjirokastrës. Policia tha se dy fëmijët janë banorë të fshatit Derviçan, fqinj me Lazaratin. Sipas policisë fëmijët kanë marrë lëndime të lehta dhe janë jashtë çdo rreziku për jetën. Hetimet paraprake dëshmuan sipas policisë se fëmijët luanin në oborrin e Kishës së fshatit kur plumbat bënë rikoshetë në mur. Njëri nga fëmijët pësoi një gërvishje në këmbën e majtë ndërsa tjetri pësoi dëmtime të lehta poshtë gjurit thanë burimet policore. Fëmijët u mjekuan në banesat e tyre dhe nuk patën nevojë për ndihmë spitalore sqaroi policia. Ky është incidenti i dytë në një hark kohor të shkurtër. Pak ditë më parë një grua që banonte në një lagje periferike të qytetit të Gjirokastrës kishte marrë një plagë të lehtë në dorë po nga plumbat që vinin nga ky fshat. Policia thotë se grupe banorësh qëllojnë gjatë natës në ajër në shenjë presioni ndaj forcave policore. Banorët kanë mbjellë në oborret e shtëpive mijëra bimë mariuane ndërkohë që policia nuk ka ndërhyrë gjatë kësaj kohe në brendësi të fshatit për të shmangur konfliktet e armatosura. Ndërkaq gjatë ditëve të fundit mjaft familje të zonave përreth ankohen për rrezikun që u vjen nga të shtënat e pakontrolluara që vijnë nga ky fshat. Prokurori i Përgjithshëm ka urdhëruar këto ditë ngritjen e një grupi hetimor për dukurinë e përrhapjes së narkotikëve në këtë fshat ndërkohë që policia ka paralajmëruar arrestime.
XS
SM
MD
LG