Lidhje

Një shkencëtar studion kafshët për të kuptuar më mirë njeriun


Ekonomistët po mësojnë rreth funksionimit të botës financiare duke studiuar tufat e ujqve dhe ato të peshqve. Këtë po bënë Simon Levin, një shkencëtar i Universitetit Princeton dhe fitues i Çmimit Tyler për Arritjet në fushën e Mjedisit për këtë vit. Mike O'Sullivan njofton nga Los Anxhelesi, ku profesor Levin u nderua për punën e tij rreth ngjashmërive të sistemeve biologjike me biznesin.

Simon Levin është një matematikan i cili po përdor matematikën për të studiuar sistemet biologjike.

Ai thotë se individët në grupe tregojnë sjellje të ngjashme, pavarësisht nëse ata janë ujqër apo bankierë në Wall Street.

"Individët konkurrojnë për kontrollin e burimeve të kufizuara, hyjnë në marrëveshje bashkëpunuese, marrëveshje shfrytëzuese, marrëveshje parazitare, kështu që ata vërtetë janë pjesë e fenomeneve disi të njejta. Prandaj, para dy dekadash në bashkëpunim me disa kolegë, fillova të studioja sistemet ekonomike".

Në fillim të vitit 2008, zoti Levin së bashku me një koleg të tij botoi në revistën Nature një artikull të quajtur "Ekologjia për Bankierët", duke parashikuar me saktësi fillimin e krizës financiare të shkaktuar nga problemet e huave në tregun e shtëpive. Ai thotë se sistemet komplekse financiare dhe bankare tregonin shenja stresi, që në botën e biologjisë, sinjalizojnë ardhjen e një krize.

"Sistemet po bëheshin gjithnjë e më të ndërlidhura, dhe kur sistemet ekologjike ndërlidhen ngushtë, ato rrezikojnë rënien".

Ai tani e ka kthyer vëmendjen tek kërcënimet natyrore të botës ndërkohë që oqeanet dhe sistemet klimatike përballen me ndryshime në rritje të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

"Ne studiojmë tufat e peshqve dhe shpendëve. Natyrisht, studiojmë edhe kopetë e kafshëve si ujqërit apo antilopat afrikane për të kuptuar se si janë të organizuar dhe se si merren me problemet kolektive".

Zoti Levin thotë sistemet komplekse kanë nevojë për përgjigje të shpejta dhe elastike për të përballuar kërcënimet e reja, dhe kjo është një sfidë në botën tonë të ndërlidhur, ku lidhjet globale krijojnë trysni mbi organizatat e brishta.

"Pra, ne kemi nevojë për një sistem, i cili ofron zgjidhje të përgjithshme që të na japin kohë dhe nga ana tjetër ofron edhe zgjidhje konkrete për kërcënime të veçanta. Unë mendoj se kjo është mënyra për t’u marrë me kërcënimet ndaj shoqërisë, qofshin ato financiare apo bioterroriste".

Ai thotë se njerëzit kanë një avantazh ndaj kafshëve të tjera, sepse ata mund t’i studiojnë rreziqet me të cilat përballen dhe mund të hartojnë përgjigje të efektshme.
XS
SM
MD
LG