Lidhje

Lëvizja “Zaptimi i Uoll Stritit” shton rradhët dhe mbështetjen


15/10/2011
15/10/2011

Një muaj pasi protestuesit e lëvizjes “Zaptimi i Uoll Stritit” dolën në parkun Zukoti të Nju Jorkut, kjo lëvizje është përhapur në gjithë botën, madje është intensifikuar këtu në Shtetet e Bashkuara.

Të frymëzuar nga lëvizja “Zaptimi i Uoll Stritit”, rreth 100 aktivistë kundër korporatave u grumbulluan para Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt të Gjermanisë.

Një protestë në Romë u shoqërua me dhunë, duke lënë pas makina të dëmtuara dhe xhama të thyera të dritareve të bankave.

Demonstruesit në Tokio u përqëndruan në pabarazinë shoqërore, papunësinë dhe energjinë bërthamore.

Një marshim drejt ambasadës amerikane në Filipine dënoi, atë që pjesëmarrësit e quajtën imperializëm amerikan dhe luftra agresioni.

Protesta të ngjashme u zhvilluan në dhjetra qytete të tjera, nga Lubjana e Slovenisë deri në Melborn të Australisë.

Përfaqësuesi i shtypit në lëvizjen “Zaptimi i Uoll Stritit”, Mark Bray thotë se rezistenca ndaj ndikimit të korporatave shumë-kombëshe ka nevojë për një lëvizje shumë-kombëshe.

“Problemet me të cilat përballemi në vende të ndryshme ndryshojnë sipas pozitës gjeografike dhe rrethanave. Por qëndresa ndaj shkurtimit të shpenzimeve shoqërore, thirrjet për demokraci të vërtetë, që u jep përparësi zërave të masës punëtore përkundrejt zërave të korporatave është një ndjenjë e përbashkët”. - tha ai

Lëvizja “Zaptimi i Uoll Stritit” nuk duket se ka udhëheqës apo një mesazh të përbashkët. Në Sidni të Australisë, për shembull, rreth 300 demonstrues akuzuan më të pasurit e botës për bllokimin e pasurisë. Në Nju Jork, artisti Beni Zable, nga Australia, fajësoi po këta të pasur për ndotjen e mjedisit. Ai tha:

“Një për qind e popullsisë janë shumë të pasur dhe e kanë arritur këtë me çdo kusht. Pas kësaj pasurie nuk ka asnjë moral, ata e sigurojnë këtë pasuri duke gërmuar e duke ndotur”.

Të dielën, Presidenti Barak Obama iu referua kësaj lëvizjeje kur përmendi emrin e të përndershmit Martin Luther King, i Riu. Zoti Obama foli në Uashington me rastin e përurimit të monumentit të udhëheqësit të të drejtave civile.

"Nëse ai do të ishte sot gjallë, besoj se do ta na kujtonte se punëtorët e papunë mund t’i bëjnë sfidë me të drejtë babëzisë së Uoll Stritit pa përçmuar të gjithë ata që punojnë aty”. - tha presidenti Obama

Në Zvicër, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon tha se ministrat e financave të G-20-tës duhet të dëgjojnë protestuesit dhe të hartojnë plane pune për të zgjidhur shqetësimet e tyre.

Udhëheqësi i lëvizjes punëtore Solidarnost të Polonisë dhe laureat i çmimit Nobel, Leh Valesa u shpreh në mbështetje të protestuesve. Dhe më shumë se 100 autorë, mes tyre disa fitues të çmimit Pulitzer, kanë nënshkruar një peticion në Internet në të cilin shpallin mbështetjen e tyre për lëvizjen globale “Zaptimi i Uoll Stritit”.


XS
SM
MD
LG