Lidhje

Kryeministri Hariri: do të kthehem në Liban shumë shpejt


Kryeministri i Libanit Saad Hariri siguroi vendin se do të kthehet në atdhe "shumë shpejt" nga Arabia Saudite, ku ai njoftoi dorëheqjen e tij të papritur më 4 nëntor. Zoti Hariri tha se ndaj tij nuk ishte bërë presion për të dhënë dorëheqje, por se ai shpresonte se veprimi i tij do t’i tregonte popullit libanez se vendi ndodhet në një rrugë të rrezikshme.

Në një intervistë me televizionin e partisë së tij “Ardhmëria TV” nga Riadi, zoti Hariri tha se vendimi për të hequr dorë nga posti i Kryeministrit ishte krejtësisht i tij dhe mohoi se ai ishte detyruar nga Sauditët të jepte dorëheqjen për të prishur qeverinë e tij të koalicionit me Hezbollahun:

"Doja të shkaktoja një reagim pozitiv e jo negativ. Doja të shkaktoja një reagim pozitiv për libanezët për t’u treguar atyre pozicionin e rrezikshëm në të cilin ndodhet vendi. Ne nuk mund të vazhdojmë në këtë rrugë, pra të themi se po e distancojmë Libanin nga konfliktet rajonale, ndërkohë që kemi gjetur një parti libaneze (duke iu referuar Hezbollahut) në Jemen dhe vende të tjera duke ndërtuar marrëdhënie me regjimin sirian, që unë nuk e mbështes".

Zoti Hariri ka dy shtetësi, libaneze dhe saudite. Ai tha në fjalimin e tij të papritur të dorëheqjes në një kanal televiziv saudit se Hezbollahu dhe mbështetësit e tij iranian po komplotojnë të marrin nën kontroll vendin, një masë që ai tha se do të destabilizonte të gjithë Lindjen e Mesme.

Zoti Hariri gjithashtu tha se kishte frikë për jetën e tij. Hezbollahu ishte fajësuar për sulmin me makinë bomb të vitit 2005 që vrau babanë e tij, ish-kryeministrin Rafik Hariri.

Mijëra vrapues dhe spektatorë që morën pjesë në maratonën vjetore të Libanit të dielën kërkuan kthimin e Kryeministrit. Disa prej tyre mbanin sllogane me mbishkrime "Duke pritur për ty".

Presidenti libanez Michel Aoun ende nuk e ka pranuar dorëheqjen e Kryeministrit Hariri. Para intervistës televizive të Haririt të dielën, presidenti Aoun lëshoi një deklaratë duke thënë se Kryeministri është në Arabinë Saudite nën "rrethana të paqarta".

Shefi i Hezbollahut në Liban, Hassan Nasrallah, tha javën e kaluar se sauditët i kanë bërë trysni zotit Hariri që të jepte dorëheqjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG