Lidhje

Refugjatët sirianë në Liban presin dimrin në kushte të vështira


Kushtet e stinës së dimrit janë duke ua vështirësuar së tepërmi jetesën refugjatëve sirianë në Liban. Megjithë përpjekjet e OKB-së për të shpërndarë ndihma, pjesa më e madhe e tyre jetojnë në kushte të papërshtatshme në tenda, që kur u larguan nga vendi i tyre vite më parë.

Refugjatët sirianë në Liban janë gjithnjë e më të shqetësuar për shëndetin e familjarëve të tyre ndërsa gjithë rajonin po e mbulon stina e dimrit.

Shumë refugjatë në një kamp me tenda në Luginën Bekaa të Libanit, janë duke kaluar dimrin e tyre të gjashtë larg shtëpive dhe në kushte të vështira.

Në vitin 2015, një studim i UNHCR-së tregoi se 70% e refugjatëve sirianë jetojnë në kushte nën pragun e varfërisë.

Një banor i kampit të Luginës Bekaa, Mohammed, nuk përmban dot gëzimin për lindjen e të birit, tashmë njëditësh. Por, ai nuk e harron dot ditën e lindjes:

“Mu desh ta mbaja gruan në krahë në mes të shiut që të shkonim në spital... Kur u kthyem, e mbaja foshnjën të shtrënguar në kraharor dhe të mbuluar me batanije.”

Mohammed dhe e shoqja iu larguan luftës civile në Siri katër vite më parë.

Në një tjetër kamp disa milje më larg, Fatima gjithashtu përballet me kushtet e vështira të dimrit. Të larguar nga Aleppo vite më parë, ajo duhet të kujdeset për të jatin e sëmurë.

“I ftohti na ka lodhur shumë. Dje erdhi një stuhi shiu dhe nuk ngroheshim dot gjithë natën. Kishim nga katër batanije secili përsipër dhe nuk ngroheshim dot. Era e ftohtë futej nga poshtë tendës,” tregon ajo.

Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, deri më tani janë ndihmuar rreth 1 milionë njerëz me furnizime për dimrin. Ndihmat e dhëna kanë qenë në formën e materialeve izoluese ndaj motit të ftohtë, batanije, madje dhe para në dorë.

XS
SM
MD
LG