Lidhje

Përvjetori i Ligjit për të Drejtën e Votës


Sot është 50-vjetori i nënshkrimit të Ligjit për të Drejtën e Votës, i cili krijoi garanci federale për afrikano-amerikanët që kërkonin të ushtronin të drejtën e tyre të votimit. Nënshkrimi i këtij ligji më 6 gusht 1965, nga Presidenti Lyndon Johnson, rrëzoi pengesat ligjore të vendosura nga disa shtete amerikane, për të penguar votimin e afrikano-amerikanëve, pavarësisht se këtë të drejtë ua jepte amendamenti i 15-të i Kushtetutës. Shumë prej këtyre shteteve ishin në jugun e SHBA-së, i cili kishte një histori të gjatë diskriminimi racial me fillime në periudhën e skllavërisë. Ligji për të Drejtën e Votës u miratua pas vitesh protestash, trazirash sociale dhe madje edhe gjakderdhjeje.

Ishte një moment historik kur Presidenti Lyndon Johnson nënshkroi në vitin 1965 Ligjin për të Drejtën e Votës, i cili konsiderohet si legjislacioni më i efektshëm për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk do të ndalojmë derisa të gjithë amerikanët, e të gjitha racave dhe ngjyrave, të kenë të drejta të barabarta në proçeset demokratike.”

Ligji për të Drejtën e Votës hoqi pengesat lokale ligjore për votimin në shumë shtete të jugut, të cilat diskriminonin votuesit zezakë. Gjithashtu, parashikoi zbatimin federal të amendamentit të 15-të të Kushtetutës së SHBA-së, që u jep afrikano-amerikanëve të drejtën të votojnë.

“Ligji i 1965-ës, çliroi kaq shumë njerëz.”

John Lewis, tashmë ligjvenës në Kongres, për pak u vra në vitin 1965 gjatë një marshimi për të drejtën e votës, në Selma të Alabamës. Skenat e përplasjeve të dhunshme, ku policia sulmonte demonstruesit paqësorë, ngjallën një reagim mbarëkombëtar dhe mundësuan miratimin e menjëhershëm të Ligjit për të Drejtën e Votës.

“Ia vlejtën vuajtjet e aq shumë njerëzve. Ja vlejti gjaku që derdhëm disa prej nesh.”

Profesorja e shkencave politike, Andra Gillespie, thotë se qeveria filloi përpjekje masive për të regjistruar votuesit zezakë.

“Përqindja e votuesve afrikano-amerikanë u rrit disa herë gjatë fundit të viteve ‘60-të dhe fillimit të viteve ’70-të. Pra, pati shtete jugore ku iu mundësua votimi qindra mijëra zezakëve.”

Udhëheqës zezakë thonë se nuk duhen harruar sakrificat e bëra për të fituar të drejtën e votës. Leo Smith është drejtor për angazhimin e minoriteteve në Partinë Republikane të shtetit Georgia.

“Jam krenar që i jemi larguar një shoqërie që mund të më kishte sulmuar dhe rrahur, siç u veprua me John Lewis. Plagët që mori ai ishin edhe për mua. Nuk duhet lënë të humbasë kot gjaku i derdhur, dhe të zhvlerësohet ky akt.”

Pesëdhjetë vjet më vonë, ish-kryetarja e bashkisë së Atlantës, Shirley Franklin, kujton se si ligji i vitit 1965 i dha asaj mundësinë të kandidojë për funksione publike.

“Fatmirësisht, të tjerët pikasën diçka tek unë, që vetë nuk e kisha vënë re. Më inkurajuan të kandidoj. Që nga ajo kohë, qëllimi im ka qenë të nxis njerëzit të bëjnë të njëjtën gjë.”

Analistët politikë thonë se Ligji për të Drejtën e Votës ishte një fitore për vendin, që e shndërroi në të barabartë dhe të drejtë, një nga instrumentat më të fuqishëm të demokracisë – votën.

XS
SM
MD
LG