Lidhje

Ngacmimet seksuale, ligjvënëset kujtojnë


Linda Sanchez

Një numër anëtaresh të Kongresit i thanë të premten agjencisë Associated Press se janë ngacmuar seksualisht nga kolegë meshkuj në incidente që kanë ndodhur vite apo dekada më parë, por refuzuan t’i identifikojnë personat përgjegjës.

“Kur sapo fillova punën në Kongres pas zgjedhjeve, isha rreth 30 vjeçe, një ligjvenës që kishte më shumë vite në Kongres, më propozoi shumë hapur, edhe pse ishte i martuar. Megjithëse u përpoqa ta kaloj me shaka dhe të mos i kushtoj rëndësi, ai vazhdoi të propozonte. I shmangesha atij sa herë që mundesha” i tha ligjvënësja Linda Sanchez agjencisë Associated Press.

Ligjvenësja Sanchez tregon se një koleg tjetër, mashkull, ia nguli sytë njëherë dhe e preku në mënyrë të papërshtatshme, por u mundua të hiqej sikur e kishte bërë veprimin aksidentalisht. Sanchez nuk pranoi të thoshte emrin e asnjërit prej tyre, duke shtuar se nuk mendonte se do të ishte e dobishme.

“Problemi është se Kongresi nuk ka zyrë personeli ku mund të ankohesh. Anëtarët e Kongresit punësohen nga vota e zgjedhësve”.

Një ligjvënëse tjetër, Mary Bono, i tha agjencisë AP se një koleg mashkull i kishte thënë në një rast se mendonte për të kur bënte dush. Zonja Bono tha se pasi ajo iu kundërpërgjigj ashpër, ai nuk i përsëriti më komentet e papërshtatshme.

“Është botë mashkullore, është ende një botë ku mbizotërojnë burrat” tha zonja Bono. “Të mos flirtosh, por as mos të jesh si grifshë. Ky është parimi im, ruajtja e kësaj balance delikate”.

Ajo nuk pranoi të identifikonte kolegun, por shtoi se ai ende shërben në Kongres.

Ish ligjvënësja Hilda Solis tha se ajo ka marrë nga një koleg, ato që agjencia AP i identifikon si, “oferta të padëshiruara e të përsëritura ngacmimesh seksuale”. Ajo gjithashtu nuk pranoi të identifikonte kolegun apo të jepte hollësi të tjera se për çfarë “ofertash” bëhej fjalë.

"Është poshtëruese, edhe pse ata mund të kenë menduar se po bënin lojra. Nuk është lojë. Është sjellje e përshtatshme. Ne jemi kolegë, por ai nuk më shihte në atë mënyrë, dhe ky është problemi," tha zonja Solis.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG