Lidhje

Ligjvënësi Dana Rohrabacher: Në një vend demokratik qeveria e zgjedhur duhet të mbarojë mandatin


Ligjvënësi Dana Rohrabacher: Në një vend demokratik qeveria e zgjedhur duhet të mbarojë mandatin
Ligjvënësi Dana Rohrabacher: Në një vend demokratik qeveria e zgjedhur duhet të mbarojë mandatin

Ligjvenësi republikan nga Kalifornia, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rohrabacher, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se në një vend demokratik, në se zgjedhjet kanë mbaruar, qeveria e zgjedhur duhet lejuar të mbarojë mandatin. Në zgjedhjet e ardhshme, thotë ai, nëse korrupsioni është i lartë dhe nëse me të vërtetë zgjedhjet janë vjedhur, ato mund të rimerren përsëri. Duke folur për Kosovën ligjvenësi republikan thotë se Serbia duhet të mësohet me realitetin se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, dhe ai rekomandon që të dyja këto vende të shqyrtonin mundësinë, si pjesë e një plani gjithpërfshirës, të krijimit në Ballkan të një komonuellthi shtetesh, ku secili shtet të kishte sovranitetin e tij.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë qënë shumë të angazhuara kohët e fundit përmes Departamentit të Shtetit, për zhvillimet politike në Shqipëri, në përpjekje për të qetësuar situatën e acaruar nga mosmarrëveshjet e thella mes Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste të opozitës. Si anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, si i shikoni zhvillimet e fundit në Shqipëri?

Dana Rohrabacher: Gjëja më e rëndësishme që duhet kuptuar është se protestat që po shohim në Tunizi, në Egjipt dhe në vende të tjera, ku njerëzit kërkojnë reforma demokratike dhe kanë dalë në rrugë, nuk kanë gjë të përbashkët me Shqipërinë. Në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje të drejta. Ka një parti në pushtet që u zgjodh në qershor të 2009, mandati i së cilës është deri më 2013. Pra vendi ka një qeveri të zgjedhur. Ata që kanë mosmarrëveshje me të, ose që nuk janë dakord me ato që ajo bën, nuk janë të justifikuar të dalin në rrugë për të sjellë pengesa dhe ta krahasojnë veten me njerëzit që po protestojnë kundër qeverive autoritare që nuk janë të zgjedhura. Që populli i Shqipërisë të respektohet nga Bashkimi Evropian dhe të tjerët, duhet ta mësojë se qeveria e zgjedhur duhet respektuar. Këtu në Amerikë, tani për shembull, ne republikanët nuk po dalim në rrugë për të larguar Obamën. Jo kjo nuk ndodh. Ne po përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme. Është e drejtë të dalësh në rrugë për të kërkuar zgjedhje të lira e të drejta, por nuk është e drejtë të kërkosh që qeveria ta ndërpresë mandatin e saj. Ajo që po ndodh në Shqipëri për mua është një papjekuri politike, veçanërisht e opozitës së fundit, e cila refuzon të njohë dhe kërkon të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Ndoshta është e justifikuar, nuk e di, kur flasim për korrupsionin. Ne e dimë se ka korrupsion në qeverinë e tanishme. Por korrupsion ka patur edhe në qeveritë e kaluara. Por, kur zgjedh një qeveri, ajo duhet lejuar të mbarojë mandatin, dhe pastaj kur vijnë zgjedhjet, njerëzit duhet të vendosin nëse një qeveri e caktuar duhet apo nuk duhet zgjedhur sërish për shkak të korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Gjendja në Shqipëri u acarua më tej pas protestës së 21 janarit të opozitës që u shndërrua në dhunë, gjatë së cilës 4 protestues humbën jetën. Të dyja palët po shkëmbejnë akuza me njëra-tjetrën lidhur me hetimet. A mban përgjegjësi qeveria për vrasjen e 4 personave?

Dana Rohrabacher: Qeveria mund por edhe mund mos të jetë përgjegjëse. Në se ka zyrtarë në nivele të larta që nxisin policinë të përdorë taktika brutale ndërhyrjeje për të shtypur një demonstratë, atëhere qeveria është përgjegjëse. Por në se policët nuk janë të trajnuar si duhet, ose në se bëhet fjalë për individë të caktuar, siç mund të gjenden në çdo forcë policore në botë, që janë elementë të papërgjegjshëm, atëhere qeveria nuk është përgjegjëse. Këto janë çështje që duhen parë, që duhen hetuar, njerëzit duhet të dëshmojnë. Nëse ka të dhëna që tregojnë se kryeministri mund të ketë sugjeruar se protestuesit duhen shtypur me çdo mjet, atëherë aty mund të flitet për përgjegjësi. Por në se policia vetë ka reaguar më ashpër se ç’duhet, kjo ndodh në çdo vend.

Zëri i Amerikës: Ka shumë analistë e vëzhgues që flasin për një sindromë lodhjeje, se komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, mund të jenë lodhur tashmë me politikën në Shqipëri, që sa herë ka probleme kërkohet ndërhyrje nga jashtë. Çfarë ju vjen në mendje kur dëgjoni këto skenarë në Shqipëri që përsëriten herë pas here? Çfarë ndikimi kanë ato për imazhin e vendit?

Dana Rohrabacher: Kjo përforcon argumentin tim se në demokraci zgjedhjet zhvillohen në kohë të caktuara. Personi që është është zgjedhur nuk mund të pengohet menjëherë, pa i dhënë mundësi të zbatojë politikat e tij për vendin. Të shikosh tani gjithë këto protesta, gjithë këtë aktivitet, për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur, shumë kohë para përfundimit të mandatit, është shumë shqetësuese për njerëzit që besojnë në demokraci. Një situatë e tillë dëmton legjitimitetin, jo vetëm të kryeministrit, por të vendit në tërësi. Njerëzit në Shqipëri duhet ta kuptojnë se tani që janë në një fazë të përparuar të ekzistencës së institucioneve demokratike, dhe kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, nuk mund të rrëzojnë një qeveri të zgjedhur thjesht se nuk janë dakord me të dhe të shpresojnë që pjesa tjetër e vendeve të demokracive perëndimore të të konsiderojnë një vend me demokraci të pjekur. Unë e kuptoj se përse, veçanërisht zyrtarët në BE, do ishin shumë të shqetësuar se Shqipëria, që pati zgjedhje demokratike, tani po kalon në periudha paqëndrueshmërie.

Zëri i Amerikës: Opozita sjell si argument për kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme, faktin që në vend ka shumë korrupsion dhe zgjedhjet e kaluara, që u njohën nga OSBE-ja dhe ODIHR-i, u vodhën. A nuk kanë ata të drejtë në kërkesën e tyre?

Dana Rohrabacher: Jo aspak. Ata duhet të pranojnë se pas zgjedhjeve, pas formimit të qeverisë, nuk mund të vazhdosh t’i tërheqësh gjërat zvarrë. Këtu në Amerikë ne patëm një përvojë kur presidenti Xhorxh Bush u zgjodh president. Pati parregullsi në Florida, ne u morrëm me to, ato u bënë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve, presidenti Bush doli fitues dhe çështja quhet e mbyllur. Kështu ndodh në demokraci. Nuk mund të zvarrisësh gjerat që të mos ketë qeveri për një kohë të gjatë. Asnjëherë nuk mund të ketë zgjedhje të përsosura, ku opozita mos të ketë diçka për t’u ankuar. Duhet bërë më e mira e mundshme dhe duhet ecur më tej. Në zgjedhjet e ardhshme, nëse korrupsioni është i lartë dhe nëse me të vërtetë zgjedhjet janë vjedhur, ato mund të rimerren përsëri.

Zëri i Amerikës: Le të ndryshojmë temë dhe të flasim për Kosovën. Kosova sapo festoi tre vjetorin e pavarësisë. Qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme, do të ndeshet menjëherë me dy çështje, me raportin e përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marti dhe me bisedimet me Serbinë. Le të ndalemi fillimisht tek raporti i Dick Martit.

Dana Rohrabacher: Nuk e kam lexuar gjithë raportin por jam në dijeni të analizave mbi të. Ideja se ka patur heqje organesh për trafikim dhe fakti që nuk ka dalë ndonjë person të dëshmojë se ka parë një gjë të tillë, të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me akuza të pabazuara për një akt nga më të shëmtuarit që mund të mendohet. Po të kishte patur heqje organesh, vrasje njerëzish për t’u marrë organet, besoj do të kishim dëgjuar për një gjë të tillë prej kohe. Unë kam qënë i angazhuar intensivisht në këtë rajon për një dekadë dhe kurrë nuk kam dëgjuar një akuzë të tillë. As edhe kur forcat serbe masakruan kaq shumë njerëz, sidomos në Bosnje. Po të kishte ndodhur kam përshtypjen që do të kishim dëgjuar për gjëra të tilla. Një akuzë e tillë duhet parë me dozë të madhe skepticizmi.

Zëri i Amerikës: Çështje tjetër është ajo e negociatave me Serbinë. Qeveria e re e Kosovës pritet të angazhohet në to. Serbia pritet të sjellë në tryezë çështjen e statusit. A duhet diskutuar ajo?

Dana Rohrabacher: Mendoj se duhen bërë përpjekje nga qeveria e Kosovës dhe e Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Ato duhet të gjejnë një formulë sipas së cilës popujt e të dy vendeve të bien dakord dhe të shohin më pas drejt së ardhmes. Për momentin zhvillimi ekonomik ka ngecur.

Zëri i Amerikës: Çfarë nënkuptoni kur thoni që të dyja palët duhet të negociojnë? Kosova është një vend i pavarur, Serbia kërkon ta rihapë përsëri çështjen e statusit.

Dana Rohrabacher: Mendoj se ato duhet të komunikojnë pa patur nevojë të kalojnë nëpër formalitete. Gjatë diskutimeve mund të arrihet një mirëkuptim se cili do të jetë formati zyrtar i tyre. Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Kosovën si vend të pavarur. Serbia duhet ta pranojë një gjë të tillë. Kosova nuk do të heqë dorë nga pavarësia. Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen në vendimin e tyre, ashtu siç nuk do të tërhiqen edhe vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën. Sapo u mbush 3 vjetori i njohjes së Kosovës nga Presidenti Bush. As nuk bëhet fjalë për tërheqje të këtij vendimi. Kjo nuk ndodh. Serbia duhet ta kuptojë se ky është realiteti. Atëhere si duhet vepruar që këto dy njësi, këto dy vende, serbët dhe kosovarët, të kenë marrëdhënie më të mira, me përfitime për të dyja palët? Kjo ndoshta mund të ulë tensionet dhe Bashkimi Evropian mund të përshpejtojë procesin e integrimit të të dyja këtyre vendeve. Unë do të rekomandoja që të dyja këto vende të shqyrtonin mundësinë, si pjesë e një plani gjithpërfshirës, për idenë e krijimit në Ballkan të një komonuellthi shtetesh, ku secili shtet të kishte sovranitetin e tij. Çdo qeveri që dëshiron, mund të hyjë në të. Kosova për shembull, do të kishte parlamentin e vet, ushtrinë e vet, forcën e saj policore, sistemin e vet të arësimit, por nuk ka arësye përse të mos bashkohet në një komonuelth ekonomik me Serbinë, nga i cili të përfitonin të dy vendet. Pra ideja e një komonuellthi vendesh sovrane mund të ishte e pranueshme për Serbinë, ku të kishte marrëdhënie me popullin e Kosovës. Këto qëndrime duhen shqyrtuar, për të gjetur modalitete të reja, që do të respektonin të drejtat e të dy popujve. Dhe kjo është e mundshme.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ka disa qindra ushtarë amerikanë në kuadër të KFOR-it. Ju keni kërkuar kthimin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. A nuk mendoni se në kushtet aktuale atje, forca e KFOR-it, përfshirë ushtarët amerikanë, duhet të qëndrojë për të ardhmen e afërt si garantuese e sigurisë?

Dana Rohrabacher: Ne kemi qënë atje për një kohë të gjatë. Ne duhet të përcaktojmë një afat se kur do të largohemi. Ndoshta pas një viti trupat duhet të kthehen. Ne nuk mund të ofrojmë përjetësisht, si të thuash, këtë “dhuratë për stabilitetin”. Amerika është vetë e zhytur në borxhe. Këtë vit kemi një borxh prej 1 trilionë e gjysmë më shumë se vitin e kaluar. Dhe në kushte të tilla të japësh një dhuratë që na kushton 100 milionë dollarë në vit, nuk mund ta përballojmë dot. Ne duhet t’i njoftojme vendet në Ballkan se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vazhdojnë të jenë të pranishme.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit, si anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, si e shikoni rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan?

Dana Rohrabacher: Për mua, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rolin e lehtësuesit për të afruar palët me njëra-tjetrën, që ato të gjejnë kompromise. Ka patur shumë kompromise që u arritën gjatë procesit të krijimit të Kosovës. Si vend, ne jemi krenarë që ndërhymë për të parandaluar vrasjet në masë, që mund të kishin ndodhur nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin ndërhyrë ushtarakisht. Roli ynë në të ardhmen, nuk duhet të jetë ai i një arbitri, por i një force pajtuese, që bashkon popujt, në vend që të themi se ne do të marrim vendimin përfundimtar. Vendimet duhet t’i takojnë popujve të rajonit. Ne duhet të jemi atje për të nxitur vullnetin e mirë, kompromisin, për të nxitur stabilitetin dhe begatinë afatgjatë në rajon. Ne mund ta bëjmë këtë. Ka shumë gjëra interesante që mund të bëhen dhe në fakt, unë vetë do të jem personalisht i përfshirë në disa nisma për rajonin, që synon gjetjen e urave midis popujve.

XS
SM
MD
LG