Lidhje

Graham, kandidat për garën presidenciale


Senatori republikan Lindsey Graham i shtetit të Karolinës së Jugut, një mbrojtës agresiv i ndërhyrjes ushtarake amerikane në konflikte jashtë vendit, ju bashkua të hënën kandidatëve që duan të marrin emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2016.

Ai është kandidati i nëntë dhe senatori i katërt republikan që njofton kandidaturën. Senatorë të tjerë republikanë që kanë njoftuar kandidaturën janë Ted Cruz i Teksasit, Marco Rubio i Floridës dhe Rand Paul i Kentakit.

Graham e njoftoi kandidaturën nga shteti i tij i Karolinës së Jugut. Ai i tha përkrahësve se dëshiron të bëhet president “për t’i mundur armiqtë të cilët përpiqen të na vrasin.” Ai tha se Shtetet e Bashkuara “nuk do të bashkëjetojnë dot kurrë në paqe me islamin radikal.”

Graham, një kritik i vazhdueshëm i Presidentit Barack Obama për “mungesën e vëmendjes së duhur ndaj politikës së jashtme amerikane”, tha se politikat e udhëheqësit amerikan “na kanë bërë më pak të sigurtë.”

Anketat tregojnë se 59-vjeçari Graham gëzon pak mbështetje mes zgjedhësve republikanë, por numri i kandidatëve republikanë është aq i madh, saqë asnjëri prej tyre nuk ka dalë si një kandidat i fortë për të marrë emërimin e partisë.

Graham, ish-jurist për Forcën Ajrore, i cili në 20 vitet e fundit ka qenë kongresmen dhe senator, tha se ai ka më tepër eksperiencë për çështjen e sigurisë kombëtare, se sa ndonjëri prej kandiadtëve të tjerë që janë përfshirë në garë. Ai bëri thirrje për më tepër bashkëpunim mes të dy partive në Uashington për çështje të rëndësishme.

Ai ka qenë një aleat i afërt politik me kandidatin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, Senatorin John Mc Cain, i cili e humbi garën me kandidatin demokrat, Barak Obama.

XS
SM
MD
LG