Lidhje

Liria e internetit dhe përkeqësimi i ekonomisë shkak i protestave në Bjellorusi


Liria e internetit dhe përkeqësimi i ekonomisë shkak i protestave në Bjellorusi
Liria e internetit dhe përkeqësimi i ekonomisë shkak i protestave në Bjellorusi

Rënia e standartit të jetesës ka shkaktuar protesta të mëdha kundër Aleksandër Lukashenkos, i cili për një kohë të gjatë ka sunduar Bjellorusinë përmes karizmës dhe frikësimit.

Duke tejkaluar frikën nga policia, shoferët kanë paralizuar me qëllim trafikun në Minsk, tregëtarët janë përleshur me rojet në kufirin polak dhe çdo të mërkurë në mbrëmje protestat e heshtura janë bërë ngjarje javore në të gjitha qytetet e mëdha.

Një udhëheqës i opozitës, Vladimir Nekljaev, doli nga një qeli burgu muajin e kaluar duke hasur në një lëvizje të rezistencës e cila është rritur shpejt në sajë të internetit.

Zoti Nekljaev dhe aktivistë të tjerë parashikojnë se protestat e heshtura në të ardhmen do të shtypen ashpër nga policia. Ata thonë se pushimet e policisë janë anuluar ndërkohë që presidenti Lukashenko kërkon të mbajë nën kontroll festimet që do të shënojnë Ditën e Pavarësisë të dielën e ardhshme.

Një ndihmës i zotit Nakljaev, Andrei Dimitrev, tha se informacionet në lidhje me organizimin e protestave po shpërndahen në mënyre anonime përmes fejsbukut dhe rrjeteve tjera sociale ruse.

“Është shumë e rrezikshme të tregosh se je aktiv, sepse shumë lehtë mund të përfundosh në burg për çfarë do arsye”.

Përdorimi i internetit është rritur shumë në këtë vend i cili po bëhet gjithnjë e më i urbanizuar.

Një e treta e të rriturve bjellorusë tani përdorin rrjetet sociale në internet. Vitin e kaluar, numri i njerëzve që shikojnë lajmet në internet u rrit me 82 për qind, thotë Irina Vidanave e cila drejton një faqe interneti të opozitës që publikon lajme dhe materiale argëtimi.

Ajo thotë se audienca e përgjithshme e shikueshmërisë së lajmeve nga burimet e opozitës dhe burimet e pavarura është e barabartë me shikueshmërinë e një prej kanaleve kryesore të Bjellorusisë që kontrollohet nga shteti. Duke i hedhur një vështrim të ardhmes, zonja Vidanava parashikon se përkeqësimi i ekonomisë do të shtojë numrin e protestave.

“Kulmi i protestave do të jetë në vjeshtë e jo gjatë verës. Qeveria nuk di çfarë të bëjë rreth krizës financiare”.

Në Bjellorusi, pakënaqësia është në rritje edhe pranë tregjeve ushqimore. Pensionistja 57 vjeçare Lilia ka dalur për të bërë pazar në tregun Kamarovski. Ajo thotë se çmimi i kërpudhave të prodhuara në vend po rritet, por ajo ka frikë të ankohet.

Nëse flet kundër rritjes së çmimeve, thotë ajo, mund të përfundosh në burg.

Zonja Lilia thotë se tani ajo i ndjek lajmet nga burimet e pavarura në internet. Ajo thotë se ajo dhe fëmijët e saj besojnë se situata ekonomike do të përkeqësohet. Por pas zhvlerësimit prej 50 për qind të monedhës vendase muajin e kaluar, nuk ka asnjë mënyrë që ata të mund ta përballojnë koston e emigrimit.

Jashtë ambasadës së Lituanisë, studentja 21 vjeçare Anastasia ndalon në përpjekje për të marrë një vizë që do t’i mundësonte udhëtimin drejt Bashkimit Evropian.

“Studentët janë të pakënaqur me situatën në vend. Ata nuk mund të paguajnë banesat dhe ushqimin e tyre”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se inflacioni në Bjellorusi do të jetë 50 për qind këtë vit.

Ish-kreu i Bankës Kombëtare, Stanislav Bodgankeviç, përmend borxhet që do duhet të paguahen në muajt e ardhshëm.
Nëse shikohet nga pikëpamja objektive, situata vetëm do të përkeqësohet.

Ai thotë se për momentin presidenti Lukashenko po shtyp para për të paguar rritjen e rrogave, duke i krijuar popullit idenë se ai po merret me inflacionin.

Strategjia e qeverisë është gjetja e burimeve të mëdha të parave të thata, sa më shpejt.

Presidenti i ka ofruar shitjen kompanisë më të madhe të vendit, Belaruskali, investitorëve rusë për një shumë prej 30 miliard dollarësh.
Por udhëheqësi i opozitës Nekljaev thotë se kompania tani i sjell Bjellorusisë një fitim prej 3 miliard dollarësh në vit.

Ai thotë se në bazë të normave aktuale, rezervat e potasë së kësaj kompanie mund të zgjasin 200 vite. Ai thotë se shitja e kësaj kompanie shtetërore do të ishte tradhëti.

Rënia e ekonomisë dhe liria e re e komunikimit duket so po e çojnë Bjellorusinë drejt kohërave të vështira. Bjellorusia cilësohet si një nga vendet e fundit diktatoriale në Evropë.

XS
SM
MD
LG