Lidhje

Britania: Putini dhe vrasja e Litvinenkos


Në Londër publikohet raporti mbi helmimin e ish agjentit rus Aleksandër Litvinenko dhjetë vjet më parë

Një gjykatës britanik tha se ka mundësi që presidenti rus Vladimir Putin të ketë miratuar planin për helmimin e ish-agjentit të KBG-së, Alexander Litvinenko. Ish agjenti vdiq rreth 10 vjet më parë, pasi kishte pirë një filxhan çaj, që gjykatësi Robert Owen tha se përmbante izotopin e rrallë radioaktiv, polonium-210. Litvinenko akuzoi nga shtrati i vdekjes, zotin Putin se kishte dhënë urdhër për vrasjen e tij.

Duke folur sot përballë gjykatës në Londër, e veja e agjentit, Marina Litvinenko, e konfirmoi raportin e gjyqtarit dhe bëri thirrje që qeveria britanike të veprojë:

"Jam sigurisht shumë e kënaqur që fjalët e tim shoqi në shtratin e vdekjes, kur ai akuzoi zotin Putin për vrasjen e tij janë bërë realitet në një gjykatë angleze me një standard të lartë pavarësie dhe paanshmërie. Është koha që Kryeministri David Cameron të veprojë. Bëj thirrje për dëbimin menjëherë nga Britania të të gjithë operativëve të inteligjencës ruse, qoftë nga FSB-ja që vranë Sashën, apo nga agjencitë e tjera me qendër në ambasadën ruse në Londër.”

Në raportin e tij të shumëpritur, gjykatësi Owen thotë se vrasjen e kryen Dmitry Kovtun dhe Andrei Lugovoi, dy ish-agjentë rusë të KGB-së, dhe ndoshta e bënë këtë nën drejtimin e shërbimit rus të sigurimit, FSB.

Të dy personat konfirmuan se ishin takuar me Litvinenkon në Londër në disa raste, duke përfshirë edhe në kohën e helmimit të dyshuar, por mohojnë se kanë gisht në vdekjen e tij. Rusia ka refuzuar t’i ekstradojë ata.

Pas publikimit të raportit, agjencia ruse e lajmeve Interfax citon Lugovoin, i cili e quante hetimin britanik absurditet dhe të motivuar politikisht.

Litvinenko ishte kthyer në një kritik të hapur të zotit Putin para se të largohej nga Rusia në vitin 2000 dhe të vendosej përfundimisht në Londër.

XS
SM
MD
LG