Lidhje

SHBA fiton medalje ari


Shtetet e Bashkuara fituan sot medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit në Rusi. Atleti i snowboard-it Sage Kotsenburg zuri vendin e parë në konkurrimin inaugurues për meshkuj në pjerrësi. Lojërat e Soçit u hapën dje me një ceremoni që organizatorët shpresojnë të japë një imazh të mirë të Rusisë.

Ceremonia e hapjes u zhvillua në stadiumin e ri Olimpik Fisht, me kapacitet 40 mijë njerëz, me një shfaqe që përfshiu dhe shumë fishekzjarre të koordinuar. Stadiumi ishte i mbushur me atletë nga më shumë se 80 vende si dhe nga tifozë nga e gjithë bota.
Fishekzjarret dhe pishtari përbën kulmin e aktivitetit. Sa i përket sigurisë, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach tha se është e padrejtë që Lojërat e Soçit të veçohen si të vetmet që përballen me kërcënim.

"Ndoshta nuk do të mund ta imagjinonit se sa kërcënime ka pasur në secilën nga Lojërat e zhvilluara më parë. Kemi pasur kërcënime në Sydney, kemi pasur kërcënime në Athinë. Ndoshta ju kujtohet situata në Salt Lake City. Ka pasur shumë rreziqe, prandaj nuk mund të veçojmë këto lojëra në këtë mënyrë".

Autoritetet ruse kanë shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë për sigurinë në Olimpiadën e Soçit. Ekstremistë islamikë kanë kërcënuar të dëmtojnë Lojërat dhe analistët kanë paralajmëruar për sulme të mundshme kundër objektivave delikate si stacionet e trenit apo zona të tjera ku gjenden shumë civilë.
XS
SM
MD
LG