Lidhje

Zjarr masiv në një ndërtesë apartamentesh në Londër


Hidhërimi u kthye në zemërim ndërsa zjarrfikësit vazhduan të luftonin me njërën nga katastrofat më të mëdha të zjarrit në Londër dhe udhëheqësit u përballën me pyetje rreth shkeljeve të mundshme të sigurisë për zjarrin.

Policia tha se të paktën 12 vetë gjetën vdekjen ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në ndërtesën 24-katëshe në Londrën Perëndimore në orët e para të mëngjesit, duke bllokuar banorët brenda.

Numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa zjarrfikësit shkuan në çdo kat, duke u përleshur me flakët e mbetura dhe duke kërkuar për të mbijetuar dhe viktima në ndërtesë.

Kulla Grenfell kishte rreth 120 apartamente dhe ishte strehë e rreth 600 personave. Ndërtesa është në një zonë etnikisht të larmishme, me popullsi të dendur në zonën North Kensington në perëndim të Londrës. Ndër ata që figuronin të humbur të mërkurën, ishin një numër fëmijësh.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan britma për ndihmë kur zjarri u përhap nëpër kate, duke bllokuar banorët që mund të shiheshin nga dritaret duke ndezur dritat e telefonit të tyre celular me shpresën për t'u shpëtuar. Dëshmitarët thanë se disa banorë mbanin fëmijët e vegjël në dritare ndërsa njerëzit e tjerë u hodhën nga katet më të ulëta të ndërtesës. Ndërsa ndërtesa vazhdoi të digjej pas mesditës të së mërkurës, u ngritën pyetje rreth arsyeve që zjarri u përhap në ndërtesë aq shpejt, në një qytet me një histori shekullore të zjarreve shkatërruese, që kanë detyruar një nga sistemet e kodeve më të rrepta të sigurisë së zjarrit në botë. Disa banorë të evakuuar nga ndërtesa, thanë se nuk dëgjuan alarmet e zjarrit. Disa prej tyre njoftuan të kishin nuhatur lëndë plastike të djegur në momentet e hershme të zjarrit, që shpërthyeu vetëm pas mesnatës. Pikëpyetje janë shtruar për ekzistencën e sistemit të shuarjes së zjarrit ose mosfunksionimin e tij.

Të mbijetuarit thanë gjithashtu se morën urdhra nga ekipet e emergjencës që të qëndronin në apartamentet e tyre, një procedurë standarde zjarri, por që banorët e zemëruar thanë ishte e gabuar këtë herë.

"Ishte e tmerrshme. Njerëzit në dritaret e tyre, duke bërtitur dhe zjarri u ngjit, shumë shpejt, si për pak sekonda ", tha një banor për BBC-në. "Asnjëherë nuk kam parë një gjë si kjo. Ishte diçka si në filmat në Hollywood ", tha ai.

Hetuesit e zjarrit thanë se ishte shumë herët për thënë se çfarë e shkaktoi atë apo përse u përhap kaq shpejt. Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan tha se fokusi të mërkurën ishte operacioni i kërkim-shpëtim, por se "shumë, shumë njerëz kanë pyetje legjitime që kërkojnë përgjigje", tha Khan.

Kryeministrja britanike Theresa May thirri një takim emergjent për trajtimin e fatkeqësisë. Një zëdhënës i qeverisë tha se zonja May "është thellësisht e trishtuar nga humbja tragjike e jetëve të njerëzve".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG