Lidhje

Policia në Londër zhvillon kërkime lidhur me sulmin e së premtes


Në Britani, policë të armatosur zhvilluan të shtunën kërkime tek një shtëpi në një lagje periferike të Londrës dhe e evakuuan zonën përreth, si një masë paraprake pas një arrestimi të mëparshëm lidhur me sulmin e së premtes në metronë e Londrës.

Kërkimet u përqëndruan në lagjen jugperëndimore Sunbury të Londrës.

Policia britanike tha se kishte arrestuar një person në lidhje me sulmin me bombë të premten në një tren të metrosë në Londër.

Autoritetet thonë se 18-vjeçari u arrestua në zonën e portit të Doverit të shtunën në mëngjes. Dover është një port i madh tragetesh për udhëtime midis Britanisë dhe Francës. Një deklaratë e policisë e quajti arrestimin "të rëndësishëm".

Autoritetet e transportit të Londrës më parë thanë se e kanë hapur stacionin Parsons Green, ku kishte ndodhur shpërthimi.

Imazhet e bombës së postuar në mediat sociale duket se tregojnë një kovë me zjarr që ishte vendosur brenda një qese plastike afër një dere të vagonit hekurudhor.

Kryeministrja Theresa May tha pas sulmit se Qendra e Analizave të Përbashkëta të Terrorizmit vendosi të rrisë nivelin e kërcënimit të vendit në shkallën kritik - që do të thotë se një sulm tjetër mund të jetë i afërt.

ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Grupi terrorist, megjithatë, ka një histori të përgjegjësisë për sulmet që nuk mund të lidhen me grupin.

Kryeministrja britanike tha gjithashtu se pjesëtarët e ushtrisë do të fillojnë të ndihmojnë policinë, duke shtuar sigurinë në disa vende që nuk janë të arritshme për publikun.

Shërbimi Kombëtar Shëndetësor tha të premten vonë se 21 persona që ishin në trenin e metrosë në kohën e shpërthimit ishin duke u trajtuar në spitale, ndërsa tetë persona të tjerë ishin liruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG