Lidhje

Hetimi mbi sulmin e Londrës


Rrugët rreth ndërtesave të Parlamentit në Londër janë rihapur dhe turma turistësh janë rikthyer pas sulmit terrorist të së mërkurës, në të cilën një sulmues shtypi njerëz me një makinë, duke vrarë tre, para se të vriste me thikë një polic. Grupi i militantëve Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin. Policia ka bërë të paktën nëntë arrestime, dhe ata presin të bëjnë më shumë pasi hetimi tani përqëndrohet në arsyen pse sulmuesi, i identifikuar si një mësues anglishteje i lindur në Britani, u radikalizua.

Një hetim intensiv. Policia britanike kontrollon adresat në qytetin e Birmingamit të lidhura me sulmuesin, tashmë i vdekur, i cili ishte autori i sulmit në Londër. Numri i arrestimeve është rritur.

Policia ka konfiskuar mijëra artikuj, duke përfshirë pajisje elektronike dhe po kontrollojnë sasi të mëdha të dhënash kompjuterike për të mësuar se si u radikalizua 52-vjeçari Khalid Masood, një kriminel britanik i lindur me emrin Adrian Russell Ajao.

Qëllimi kryesor i këtij hetimi tani është gjetja e motivit për shkakun e sulmit, si u përgatit Khalid Masood për të dhe se kush e ndihmoi atë.

“Edhe pse nuk ka ende asnjë provë për kërcënime të mëtejshme, qëllimi jonë është të mësojmë nëse ose ai ka vepruar tërësisht i vetëm, i frymëzuar nga propaganda mbase terroriste, ose në qoftë se të tjerë e inkurajuan, mbështetën ose e drejtuan atë” thotë Mark Rowley i Policisë së Londrës.

Mes viktimave të pafajshme që humbën jetën, përfshihen të huaj, si një turist amerikan dhe një nënë e dy fëmijësh nga Spanja. Rrugët pranë parlamentit janë të rihapura, dhe sulmi nuk i ka ndaluar turistët.

“Si një turist dhe si një person që i pëlqen të udhëtojë, them se nuk duhet të frikësohemi kur ndeshemi me barbarizëm. Duhet t’i tregojmë këtyre njerëzve se ata nuk do të na bëjnë të heshtim dhe se nuk do të na trembin” thotë Luisi, një turist spanjoll.

Për të mbështetur këtë vendosmëri, policia britanike ka dyfishuar numrin e oficerëve – duke përfshirë edhe ato të armatosurit rëndë – në rrugët e Londrës.

XS
SM
MD
LG