Mbërrin në 30 numri i viktimave të zjarrit të fuqishëm që përfshiu një ndërtesë 24 katëshe në Londër pak ditë më parë, por egziston frika se shifra mund të rritet me 3-fish, nisur nga deklaratat e zyrtarëve përgjegjës për hetimet.
Shefi i policisë së Londrës Stuart Cundy iu përgjigj spekulimeve se numri i të vdekurve mund të kalojë 100, duke thënë se nga këndvështrimi i tij personal, “shpreson vërtet se nuk do të shkohet deri aty".
Familjarët në kërkim të të afërmve kanë mbuluar zonën rreth kullës Grenfell me postera ku kërkojnë përgjigje dhe trishtimi i tyre po kthehet në zemërim.
Zjarrfikësit vazhdojnë kërkimet në rrënojat e shkrumbuara të ndërtesës dhe kanë hasur në vështirësi në nxjerrjen nga kulla të disa trupave.
Sot kryeministrja britanike Theresa May vizitoi në spital të mbijetuarit nga zjarri pasi u kritikua më parë se kishte refuzuar për t'u takuar me banorët.
Dje zonja May shkoi në vendngjarje dhe zhvilloi një takim privat me zjarrfikës dhe ekipet e reagimit të shpejtë.
Ndërsa Mbretëresha, Princi William, kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan si dhe udhëheqësi i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn kanë zhvilluar takime me banorët.
Facebook Forum