Lidhje

Policia e Los Anxhelosit angazhohet në komunitet


Gjatë dy vjetëve të fundit kemi dëgjuar për një numër incidentesh kur policët kanë qëlluar civilë të paarmatosur, shpesh në komunitete afrikano-amerikane. Incidentet kanë shkaktuar acarimin e tensioneve mes policisë dhe komunitetit afrikano-amerikan. Në përgjigje të situatës, qytete si Los Anxhelosi në Kaliforni kanë shtuar praninë policore në rrugë si dhe patrullimet me helikopter për të garantuar sigurinë publike. Korrespondentja Elizabeth Lee shkoi në pjesën jugore të Los Anxhelosit, zona më e varfër e qytetit e populluar me komunitete pakicë, për të mësuar si ka ndikuar situata e tensionuar në këtë lagje.

Një grup fëmijësh nuk duket se janë në dijeni të tensioneve mes komunitetit afrikano-amerikan dhe policisë. Ata shfaqin kënaqësi që takohen me policin, si dhe shohin me kureshtje makinën policore.

“Fakti që shërbej si model për këta fëmijë shpresoj se dëshmon që po luaj një rol në këtë komunitet; kjo është gjëja që më pëlqen më shumë në profesionin e policit,” thotë Zadi Borquez, i departamentit të policisë së Los Anxhelosit.

Policia e Los Anxhelosit thotë se këto metoda të angazhimit në komunitet vlejnë për të luftuar perceptimet negative për forcat e rendit.

Por, një vizitë në bashkinë e qytetit tregon se perceptimet negative vazhdojnë. Protestues të lëvizjes "Black Lives Matter" kërkojnë dorëheqjen e shefit të policisë së Los Anxhelosit. Ata protestojnë pasi u publikuan përfundimet e një analize se një polic i këtij rajoni nuk kishte shkelur rregullat kur qëlloi vjet për vdekje një grua afrikano-amerikane. Autoritetet thonë se gruaja iu afrua policit me thikë, por protestuesit nuk e pranojnë këtë shpjegim.

“Policët në Los Anxhelos, pak a shumë si në çdo rajon policor në këtë vend, kanë probleme të mëdha me mënyrën si i trajtojnë njerëzit, sidomos afrikano-amerikanët, të varfërit, si dhe njerëzit me probleme mendore,” thotë protestuesja Melina Abdullah.

Los Anxhelosi ka njohur edhe në të kaluarën tensione racore. Trazirat që pasuan rrahjen nga policia të afrikano-amerikanit Rodney King mbi 20 vjet më parë ende janë të gjalla në kujtesën e banorëve, përfshirë Kapitenin e policisë Andrew Neiman.

“Më preku shumë personalisht pasi nuk e kisha parë ndonjëherë Los Anxhelosin në atë gjendje. Por më vjen mirë që nuk u largova. Nxorëm mësime nga ato ngjarje. Tani jemi para një udhëkryqi të ri dhe e kemi kuptuar se duhet të bëjmë më shumë,” thotë ai.

Kapiteni thotë se telefonët inteligjentë dhe media sociale i kanë ndezur tensionet racore:

“Twitter, Facebook, Instagram, Vine; të gjithë këto aplikacione në median sociale i japin mundësi qytetarit të thjeshtë të nxjerrë telefonin dhe të xhirojë një situatë shumë dinamike dhe t’ia përcjellë në moment botës jashtë kontekstit, pa asnjë shpjegim”.

Por, të tjerët thonë se teknologjia i detyron policët të jenë më të përgjegjshëm. Megjithatë, të dyja palët mendojnë se duhet të ndryshojnë perceptimet.

“Duhet t’i gjejmë zgjidhje dhimbjes që ndjen komuniteti. Nuk duhet ta mbyllim duke thënë se është komunitet i dhunshëm, por duhet të ofrojmë ndihmë për njerëzit që vuajnë,” thotë aktivisti Skipp Townsend.

“Duam që fondet të përdoren për gjëra si hapjen e vendeve të punës me paga të mira, ndihmë për problemet mendore, programe pas-shkolle për fëmijët, projekte që parandalojnë fenomenet negative,” thotë Melinda Abdullah e lëvizjes "Black Lives Matter".

Në jug të Los Anxhelosit shumë banorë e mirëpresin shtimin e pranisë policore në komunitet:

“Ka policë të mirë, por ka edhe polic të këqinj. I shohim që policët e mirë vijnë në aktivitete të tilla në komunitet; vijnë mjaft shpesh,” thotë banori Bobby Johnson.

Policia dhe banorët pohojnë se kontaktet e drejtpërdrejta janë hapi i parë për të rivendosur besimin e ndërsjelltë.

XS
SM
MD
LG