Lidhje

Vizitori i parqeve kombëtare në vendlindjen e xhazit

  • Julie Taboh

Nju Orlins, në shtetin e Luizianës, është vendlindja e xhazit amerikan, një zhanër muzikor që e ka origjinën nga afro-amerikanët në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Vizitori i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, kaloi pak kohë në qytetin e zhurmshëm, përpara se të shkonte në parqet e shpërndara në të gjithë vendin.

Kur thua Nju Orlins, mendja të shkon menjëherë te xhazi. Dhe kjo muzikë origjinale amerikane dëgjohet kudo nëpër qytet; si në këtë rast, kur rojet e një parku kombëtar po luajnë muzikë xhaz.

Vizitori i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, vizitoi së fundmi Nju Orlinsin, ku përthithi disa nga ata tinguj dhe mësoi më shumë për simbolet e tjera kulturore të qytetit:

“Nju Orlinsi është i famshëm për Parkun Kombëtar të Xhazit, ku kremtohet kontributi që ka pasur kultura e këtij qyteti në muzikën që është origjinale dhe autentike amerikane… një zhanër relativisht i ri dhe specifikisht amerikan”, thotë Mikah. “Ka disa vende të shpërndara në Lagjen Franceze, në zonat e vjetra të qytetit, ku nderohet kjo trashëgimi e kulturës vendase.”

Në jug të qytetit është parku kombëtar Jean Lafitte; ai e ka marrë emrin nga një pirat francez, që i erdhi në ndihmë gjeneralit Andrew Jackson për të mbrojtur qytetin Nju Orlins nga britanikët, në betejën përfundimtare në Luftën e vitit 1812.

Mikah vizitoi edhe parajsën e kënetave, ku gjallojnë një larmi mbresëlënëse bimësh dhe kafshësh të egra.

“Rezervati ishte një shembull i shumë pikave turistike që kam parë përgjatë Bregut të Gulfit; gjithçka nga Evergladesi, në veriperëndim përgjatë Tampës, deri në qytetin Nju Orlins. Ishte një shembull i mirë i atij ekosistemi që jeton midis oqeanit dhe një ishulli lehtësisht të banueshëm”, thotë vizitori i parqeve kombëtare, Meyer.

Atij iu dha gjithashtu mundësia të vizitonte Monumentin Kombëtar të Poverty Point, një vendbanim prehistorik i indianëve të Amerikës, që sot është një pikë turistike e Trashëgimisë Botërore. Ndër vendet arkeologjike më të rëndësishme të Amerikës, pasi është plot 3.400 vjeçar, si dhe ka një dizajn gjeometrik unik, kryevepër e inxhinierisë. Ka gjashtë brezare ku mendohej se jetonin njerëzit dikur, si dhe një sërë tumash.

Në parkun kombëtar historik të Cane River Creole, i katërti për nga rëndësia midis parqeve të Luizianës, Meyer mësoi se kultura e këtij vendi nuk ishte ndikuar thjesht nga francezët.

“Kultura vendase është ndikuar shumë nga të gjithë njerëzit, vendet dhe kulturat që kishin marrëdhënie tregtie me Nju Orlinsin... spanjollë, britanikë. Francezë etj.”, thotë ai. “Kështu që, kultura kreole që doli nga kjo përzierje ishte diçka unike.”

Edhe pse janë pjesë e Shteteve të Bashkuara, Mikah thotë se vendet jugore që ka vizituar deri më sot, janë dëshmia e asaj se sa e larmishme është Amerika. “Nëse dikush është i interesuar të njohë kulturën unike të historisë amerikane, bregu i Gulfit e ofron këtë mundësi”, përfundon Mikah.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG