Lidhje

Maqedoni: Lidhja Social Demokrate autorizon kryetarin Zaev për formimin e qeverisë


Kryetari i Lidhjes Social Demokrate u caktua nga Këshilli qendror i partisë për formimin e qeverisë së re të vendit. Anëtarët e Këshillit e pritën me duartrokitje ardhjen e tij dhe po kështu e miratuan si kandidat për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi mbrëmë t’ja japë nënshkrimet e deputetëve të saj Lidhjes Social Demokrate për të arritur numrin e nevojshëm prej 61 ligjvënësish në mënyrë që presidenti i vendit t’ia dorëzojë mandatin zotit Zaev për formimin e kabetit qeveritar. Para BDI-së, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët i kishin ofruar LSDM-së nënshkrimet e deputetëve të tyre. Zoran Zaev do të ketë gjithsej 67 nënshkrime ligjvënsish; për formimin e qeverisë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash në parlament.

Por, vendimi i BDI-së nuk do të thotë marrëveshje për koalicion qeveritar. Drejtuesit e partisë shqiptare kanë lënë të kuptohet se pasi zoti Zaev të marrë mandatin, do të vazhdojnë bisedimet për kërkesat dhe programet e partive. Ndonëse vendimi i BDI-së i hap rrugën formimit të qeverisë së re, partia nuk e përjashton mundësinë që të mbetet në opozitë.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nuk pranon të mbetet në opozitë. Gruevski paralajmëron se partia e tij do të marrë masa kundër një qeverie të drejtuar nga LSDM-ja duke thënë se nuk do të mund të ndalonte trazirat që do të pasonin. Partia u ka bërë thirrje për mobilizim degëve nëpër të gjitha qytetet e vendit për të qenë të gatshëm në mbrojtje të vendit.

Një shoqatë e quajtur “Të Palëkundurit”, e formuar këto ditë dhe e njohur për afërsinë me VMRO-në, ka tubuar disa qindra njerëz për t’iu kundërvënë në protesta avancimit të gjuhës shqipe që parashikon marrëveshja në mes LSDM-së dhe BDI-së.

Analistët vlerësojnë se VMRO-ja do të krijojë situata shqetësuese dhe trazira duke e thelluar edhe më shumë krizën dyvjeçare në vend që shpërtheu me bërjen publike të skandalit të përgjimeve të zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe politikanëve.

XS
SM
MD
LG