Lidhje

Replika mes ambasadorit Lu dhe Kryeprokurorit Llalla


Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu dhe prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u përfshinë sot në replika të ashpra mes tyre. Ambasadori Lu deklaroi se kreu i Prokurorisë është përpjekur të pengojë Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj. Zoti Llalla nga ana e tij foli për trysni të vazhdueshme të ambasadorit amerikan duke nënvizuar se nuk mund të jetë zot në mjediset e Prokurorisë. Zotit Llalla, bashkëshortes së tij dhe disa prokurorëve të lartë u janë revokuar vizat për në Shtetet e Bashkuara, një akt të cilin kreu i organit të akuzon e konsideron si një hakmarje personale

Një mbështetës i Reformës në Drejtësi në cdo hap të saj, ambasadori amerikan shprehu sot shqetësim se “njerëz të fuqishëm po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët”. Deklarata e tij këtë herë pati dhe një emër të përveçëm: “Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka foluar vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për vetingun”.

Ambasadori Lu u shfaq kritik ndaj veprimit të Prokurorisë lidhur me kandidaturat e saj për Këshillin e emërimeve në Drejtësi, përzgjedhja e të cilave u bë javën e shkuar përmes hedhjes së shortit: “Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione. Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste”.

Ambasadori amerikan kujtoi megjithatë se të gjitha anëtarët e Këshillit të emërimeve do t’i nënshtrohen vlerësimit, një proces i cili do të monitorohet nga afër prej një grupi ekspertësh amerikanë dhe europianë të cilët, siç njoftoi zoti Lu, pritet të mbërrijnë javën e ardhshme.

E menjëhershme përgjigja e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Lalla, e cila ishte gjithashtu me tone të forta, ndërsa përmes një deklarate institucioni që ai drejton, theksoi se është gjendur ditën e sotme në një sulm të hapur dhe të paprecedent nga ambasadori Lu: “Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambjentet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë. Për fat të keq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm. Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza. Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet”.

Pak ditë më parë ambasada amerikane njoftoi se u ka refuzuar dhe revokuar vizat disa gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptare dhe se “e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”.

Kryeprokurori Llalla dhe bashkëshortja e tij, si dhe një tjetër drejtuese e lartë në Prokurorinë e Përgjithshme, ishin pjesë e grupit të cilit u janë revokuar vizat. Këtë e bëri të ditur vetë prokuroria, ndërsa publikoi një letër që zoti Llalla i ka dërguar presidentit Bujar Nishani dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta për këtë cështje.

Në këtë letër zoti Llalla shprehet se ambasadori Lu ka ushtruar presion ndaj tij që të mos kundërshtonte Reformën në Drejtësi duke e paralajmëruar se, sipas tij, një gjë e tillë do të kishte pasoja personale dhe institucionale. Ai gjithashtu akuzon zotin Lu se ka ndërhyrë edhe për mbyllje hetimesh në disa raste: “Nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale”.

Pas këtyre zhvillimeve, kryeprokurori Llalla ka shkuar për një takim te Presidentin Bujar Nishani.

XS
SM
MD
LG