Nën trysninë e SHBA, disa qeveri aleate kanë vendosur në paraburgim disa dhjetëra luftëtarë të huaj të ndaluar në Siri, të cilët i kanë sjellë në vendet e tyre që ata të përballen me drejtësinë.
Maqedonia u bë vendi i fundit që riatdheson luftëtarë të Shtetit Islamik të kapur në fushën e betejës nga Forcat Demokratike Siriane që mbështeten nga SHBA.
Të shtatë personat, që u vendosën në paraburgim të hënën, janë vetëm një pjesë e rreth 600 luftëtarëve të huaj që mbahen nga FDS.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë folur publikisht për shumë nga transferimet e mëparshme, duke thënë se u takon vendeve përkatëse të flasin për riatdhesimet nga Siria.
Por zëdhënësi i Pentagonit, Sean Robertson, tha se deri tani numri i të riatdhesuarve arrin në rreth 24.
Sipas zëdhënësit tjetër të Pentagonit, Eric Pahon, hapi i Maqedonisë për të pranuar shtatë luftëtarët "shënon një arritje të rëndësishme në përpjekjet bashkëpunuese shumë të nevojshme për të luftuar kërcënimin global të terrorizmit", dhe jep një shembull të rëndësishëm për anëtarët e tjerë të koalicionit.
Dorëzimi i shtatë luftëtarëve nga FDS-ja për Maqedoninë u bë në Siri dhe transporti i tyre ka mundësi të jetë siguruar nga SHBA.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis deklaroi në shkurt se “nëse nuk bëjmë asgjë, kjo nuk është alternativë'' dhe u kërkoi aleatëve hezitues gjatë një takimi në Romë të ndihmonin për zgjidhjen e krizës në rritje duke marrë përgjegjësinë për qytetarët e tyre. Megjithatë, lutjet e tij u pritën me pak entuziazëm.
FDS –ja po mban mijëra të burgosur të ISIS-it, por rreth 600 janë identifikuar si luftëtarë të huaj nga një numër vendesh. Javën e kaluar zyrtarët libanezë thanë se morën në paraburgim tetë luftëtarë të Shtetit Islamik dhe do t'i nxjerrin para gjyqit.
Në fund të muajit të kaluar, Departamenti i Drejtësisë tha se një person nga zona e Detroitit, i cili ishte kapur nga FDS-ja, iu dorëzua SHBA dhe ndaj i tij u ngritën akuza në gjykatën federale se kishte ofruar mbështetje për grupin e Shtetit Islamik.
Të dyshuarit që u vunë në paraburgim të Maqedoni, të gjithë shtetas maqedonas të moshës ndërmjet 23 dhe 41 vjeç, do të përballen me akuzat për pjesëmarrje në një ushtri, polici dhe formacione të huaja paraushtarake, thanë zyrtarët e atjeshëm.
Sipas vlerësimeve zyrtare maqedonase, rreth 130 shtetas maqedonas janë bashkuar me grupin e Shtetit Islamik dhe kanë marrë pjesë në luftërat në Siri. Së paku njëzet prej tyre janë vrarë në luftime.
Facebook Forum