Lidhje

Lulëzimi i qershive në Uashington


Këto ditë, mijëra drurë qershie janë në lulëzim të plotë në kryeqytetin amerikan, Uashington. Ato janë një dhuratë që simbolizon paqen dhe miqësinë. Tre mijë rrënjët e para u dhuruan nga Japonia dhe u mbollën në vitin 1912. Rreth njëqind prej tyre vazhdojnë të lulëzojnë edhe sot, duke i mahnitur vizitorët me bukurinë e luleve.

Lulëzimi i qershive është një ngjarje për Uashingtonin. Është diçka që kryeqyteti e pret me padurim çdo vit. Për të parë shpërthimin e luleve këtu vijnë miliona turistë nga e gjithë bota.

Qershitë ndodhen pranë një liqeni artificial, mes disa monumenteve kushtuar themeluesve të Amerikës.

"Ky është një moment mjaft i bukur në Uashington. Shumë njerëz vijnë këtu për herë të parë për të shijuar ardhjen e stinës së verës dhe ikjen e dimrit," thotë Leslie Boss, vizitore nga shteti Maryland:

"Është bukur të shikosh kaq shumë njerëz së bashku, po ashtu ujin dhe ndërtesat e bardha që shkojnë aq bukur me njëra-tjetrën. Aq më tepër në një kohë kaq të bukur si sot," thotë Clare Keen nga Britania.

Megjithatë, shumë vizitorë që erdhën të shikojnë lulet këtë vit u larguan të zhgënjyer. Vetëm tri javë më parë, në Uashington ra borë dhe temperaturat qëndruan të ulëta gjatë gjithë fillimit të pranverës.

Sythet i qëndruan të ftohtit dhe më në fund shpërthyen – një shenjë e sigurt kjo se në Uashington ka ardhur pranvera.

Në Japoni, drurët e qershive janë parë prej njëmijë vjetësh si simbol i përtëritjes pranverore. Masato Ohtaka është ministër i Çështjeve Publike në ambasadën japoneze në Uashington.

"Lulëzimi i qershive simbolizon edhe në Japoni ardhjen e pranverës. Në Japoni dimri është i gjatë dhe ndonjëherë i ashpër. Lulëzimi i qershive mund të shihet në të gjithë Japoninë, nga jugu në veri".

Në fillim të shekullit të 20, Japonia dhe Amerika përpiqeshin të ndërmerrnin shkëmbime kulturore. Helen Taft, bashkëshorte e Presidentit William Howard Taft, kishte qenë në Japoni dhe kishte parë se sa bukur dukeshin lulet e qershive kur pasqyroheshin në sipërfaqen e ujit.

Kryebashkiaku i Tokios kishte dëgjuar për interesimin e Zonjës së Parë dhe vendosi t'i bëjë Uashingtonit një dhuratë: tre mijë rrënjë qershie. Drurët e parë u mbollën në vitin 1912. Që nga ajo kohë, sa herë që qershitë fillonin të lulëzonin, banorët e Uashingtonit nisën të festojnë ardhjen e pranverës.

Ann McClellan, autore e një libri me këtë temë, përshkruan ceremoninë e parë të mbjelljes së qershive në Uashington, ku morën pjesë shumë pak njerëz.
Ann McClellan, shkrimtare

"Zonja e Parë, Helen Taft mbolli pemën e parë, pastaj ia dha lopatën gruas së ambasadorit japonez dhe, pas kësaj, i dhuroi asaj një buqetë trandafilash amerikanë."

Shumë shpejt, lulëzimi i qershive u bë një ngjarje e shënuar për kryeqytetin.
Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, një numër pemësh u prenë, por banorët e Uashingtonit organizuan patrulla për të mos lejuar prerjet e mëtejshme.

Vizitori Dennis Harper thotë se pemët i kanë rezistuar ngjarjeve që kanë sjellë ndjenja jomiqësore mes dy vendeve.

"Ky është një thesar kombëtar që e ka origjinën përpara Luftës së Dytë Botërore, kur Shtetet e Bashkuara dhe Japonia sapo i kishin filluar marrëdhëniet mes tyre. Pastaj, gjatë luftës pati shumë njerëz që mund të kenë menduar se pemët duheshin prerë të gjitha. Kjo nuk ndodhi dhe sot, Japonia është përsëri aleatja jonë. Kjo tregon se gjëra të tilla jetojnë shumë më gjatë se njerëzit duke lënë gjurmë të pashlyeshme."

Disa vjet më pas, planet për ndërtimin e Monumentit të Xhefersonit parashikonin prerjen e disa dhjetëra pemëve. Por banorët protestuan duke e lidhur veten me zinxhirë pas pemëve dhe ato nuk u prenë.

Nga mesi i viteve 80, Uashingtoni u kthye në një destinacion turistik dhe lulëzimi i qershive mori një kuptim të ri. Nga tre mijë drurët që iu dhuruan qytetit në vitin 1912, rreth 100 prej tyre janë akoma, të tjerët janë zëvendësuar.

"Në botën e sotme, me ndotjen dhe me shtimin e vizitorëve pemët shpesh dëmtohen. Kur dikush këput një lule, pjesa ku ishte ajo lule nuk çel më, prandaj fakti që ende kanë mbetur shumë nga drurët e fillimit është mjaft interesant," thotë zonja McLellan.

Lulëzimi i qershive në Uashington zgjat rreth dy javë dhe njerëzit mblidhen me shumicë në parkun buzë liqenit për të festuar mbarimin e dimrit dhe premtimin e pranverës. Por lulëzimi nuk zgjat shumë:

"Lulet e qershive çelin shpejt por edhe bien shpejt, brenda pak ditëve. Kjo tregon se sa e përkohshme dhe e brishtë është çdo gjë e bukur në jetë. Dhe kjo i jep lulëzimit të qershive edhe një farë bukurie shpirtërore," thotë zoti Ohtaka.

Vitin e kaluar, gjatë festës së çeljes së qershive, Uashingtonin e vizituan rreth 1,5 milionë njerëz.
XS
SM
MD
LG