Lidhje

Maqedonia voton


Në Maqedoni po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pasuan një krizë politike që pasoi pohimet për korrupsion qeveritar, gjë që çoi në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski në muajin janar të këtij viti.

Vendi është drejtuar më pas nga një qeveri teknike.

Njëmbëdhjetë parti politike dhe koalicione konkurrojnë për të zënë vend në parlamentin me 123 deputetë. Maqedonia është e ndarë në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament, si dhe zona e shtatë që përfshin diasporën, prej nga zgjidhen tre deputetë.

Mbi 1 milion e 700 mijë votues kanë të drejtë vote. Zgjedhjet po vëzhgohen nga 667 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 7 mijë e 585 vendës. Vetëm ODIHR ka dërguar 360 vëzhgues.

Qendrat e votimit u hapën në ora 7 e mëngjesit dhe do të mbyllen në 7 të mbrëmjes.

Rezultatet e para priten rreth mesnate nga vetë shtabet e partive pjesëmarrëse në garë, që në të shumtën e rasteve nuk dallojnë nga rezultatet që i shpall Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Nikola Gruevski, udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë, VMRO-DPMNE, e cila ka qeverisur me ish republikën jugosllave në koalicione të ndryshme për gati një dekadë, synon të rizgjidhet në postin e kryeministrit.

Ai sfidohet nga Partia Social-demokratike e udhëhequr nga Zoran Zaev, i cili nxiti krizën politike duke akuzuar qeverinë për përgjime të paligjshme të dhjetëra mijëra qytetarëve dhe publikoi regjistrime për përfshirjen e qeverisë në korrupsion.

Katër parti politike që përfaqësojnë shqiptarët, po marrin pjesë në zgjedhje. Tradicionalisht një parti shqiptare i bashkohet koalicionit qeverisës.

Votimet e së dielës shihen si sprovë për strategjinë e Bashkimit Evropian për të nxitur reforma të dhimbshme në shkëmbim të ndihmës.

BE-ja ka kritikuar për një kohë të gjatë qasjen e Gruevskit ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, por ka nevojë për Maqedoninë që ndodhet në pozicion të rëndësishëm të së ashtuquajturës rrugë ballkanike të emigrantëve që synojnë Evropën perëndimore.

XS
SM
MD
LG