Lidhje

Maqedoni, fitore e ngushtë e VMRO-DPMNE-së


Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Maqedoni
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Maqedoni

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës në Maqedoni nxjerrin VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit fituese të zgjedhjeve me 38.06 për qind të votave, ndërsa të dytën Lidhjen Social Demokratike e Zoran Zaevit, ka fituar 36.69 për qind.

Në vend të tretë është Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit që ka fituar 7.30 për qind i pasuar nga Lëvizja Besa me 4.87 për qind.

Zgjedhjet e së dielës në Maqedoni pasuan një krizë politike për shkak të pohimeve për korrupsion qeveritar, gjë që çoi në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski në muajin janar të këtij viti.

Vendi është drejtuar më pas nga një qeveri teknike.

Njëmbëdhjetë parti politike dhe koalicione konkurruan për të zënë vend në parlamentin me 123 deputetë. Maqedonia është e ndarë në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament, si dhe zona e shtatë që përfshin diasporën, prej nga zgjidhen tre deputetë.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 66 për qind e mbi 1 milion e 700 mijë votuesve me të drejtë vote. Zgjedhjet u vëzhguan nga 667 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 7 mijë e 585 vendës. Vetëm ODIHR kishte dërguar 360 vëzhgues.

Nikola Gruevski, udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë, VMRO-DPMNE, e cila ka qeverisur me ish republikën jugosllave në koalicione të ndryshme për gati një dekadë, synon të vazhdojë qeverisjen.

Ai është sfiduar nga Lidhja Social-demokratike e udhëhequr nga Zoran Zaev, i cili nxiti krizën politike duke akuzuar qeverinë për përgjime të paligjshme të dhjetëra mijëra qytetarëve dhe publikoi regjistrime për përfshirjen e qeverisë në korrupsion.

Katër parti politike që përfaqësojnë shqiptarët, morën pjesë në zgjedhje por duket se kësaj radhe kanë humbur vende. Tradicionalisht një parti shqiptare i bashkohet koalicionit qeverisës.

Votimet e së dielës shihen si sprovë për strategjinë e Bashkimit Evropian për të nxitur reforma të dhimbshme në shkëmbim të ndihmës.

BE-ja ka kritikuar për një kohë të gjatë qasjen e Gruevskit ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, por ka nevojë për Maqedoninë që ndodhet në pozicion të rëndësishëm të së ashtuquajturës rrugë ballkanike të emigrantëve që synojnë Evropën perëndimore.

XS
SM
MD
LG