Lidhje

Kosovë, reagime për gjendjen në Maqedoni


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje për qetësi pas dhunës që përfshiu parlamentin e Maqedonisë të enjten mbrëma pak pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në postin e kryetarit të parlamentit.

“Qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve pas situatës në Maqedoni. Shpresojmë që fqinjët do të lëvizin drejt rrugës euroatlantike”, shkroi presidenti Thaci në rrjetet sociale.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh i shqetësuar me zhvillimet në Shkup. “Maqedonia është një shtet mik, që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. I bëjmë thirrje faktorit politik që të ruajë paqen dhe stabilitetin. Është në interesin e të gjithë popujve në rajon që të ruhet stabiliteti dhe që krizat të zgjidhen me mjete politike”, theksoi ai.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nëpërmjet një komunikate tha se duke e përcjellë me shqetësim situatën e krijuar në Maqedoni dhe sulmin e raportuar ndaj deputetëve dhe gazetarëve. “Sjelljet e këtilla të dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë të papranueshme dhe aspak nuk i shërbejnë demokracisë, paqes dhe stabilitetit në shtetin fqinj të Maqedonisë”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se “në frymën e apelit të vendeve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, ne besojmë se të gjithë aktorët politikë do të tregojnë vullnet për të dialoguar për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo retorikë që përshkallëzon situatën e tensionuar. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Visa Ymeri ka thënë se “tolerimi i deritashëm i dhunës e shovinizmit të Gruevskit e ka sjellë këtë gjendje”.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, zoti Ymeri thotë se ndërkombëtarët nuk janë krejt pa papërgjegjësi dhe se Maqedonia është ndërtuar dhe ekziston përmbi pabarazinë dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve. “Shpresoj që Zijadin Sela, Zoran Zaev, e të gjithë të lënduarit tjerë të shërohen sa më shpejtë. Reagimi i Tiranës dhe Prishtinës duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur. Nuk bën në asnjë mënyrë të jemi indiferent e me dy mendje në kundërshtimin tonë ndaj instalimit të politikës shoviniste në një vend fqinj. Aq më tepër kur aty jetojnë shqiptarët. Aq më tepër kur ky shovinizëm është kundër shqiptarëve”, thuhet në postimin e zotit Ymeri

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG