Lidhje

Maqedoni, shqetësime për vendimin e Prokurorisë


Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme të Maqedonisë që materialet e opozitës maqedonase lidhur me rastin e njohur si “puç” të mos publikohen nga mediat, ka shkaktuar shqetësime jo vetëm tek gazetarët dhe një pjesë e qytetarëve, por dhe tek komuniteti ndërkombëtar.

Prokuroria kërkon që të mos botohet asnjë video material dhe as incizim i bisedave telefonike që kanë të bëjnë me rastin e drejtuesit të opozitës Zoran Zaev dhe tre bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për prishjen e rendit kushtetues. Në të kundërtën, mjetet e informimit do të kryenin vepër penale, sipas Prokurorisë së Maqedonisë, e cila nuk shpjegon se në bazë të cilave dispozita ligjore sanksionohet një veprim i tillë.

Ambasada amerikane në Shkup shpreh shqetësim për komunikatën e Prokurorisë, duke theksuar se mjetet e lira të informimit janë baza e një shoqërie demokratike dhe luajnë rol të rëndësishëm në paraqitjen e informatave në interes të publikut, duke përfshirë edhe informacione për abuzime të mundshme nga autoritetet, që mund të rezultojnë në procese penale kundër figurave publike.

Në komunikatën e Ambasadës Amerikane shprehet shqetësim për shkak të mundësisisë së keqinterpretimit të vendimit të Prourorisë nga ana e medias, si një mesazh për të mos e kryer këtë rol të rëndësishëm. Ambasada inkurajon autoritetet që të sigurjonë një justifikim të qartë ligjor mbi komunikatën e para pak ditëve të Prokurorisë, për të identifikuar rrethanat specifike në të cilat një informatë do të trajtohet si sekret zyrtar.

Ndërkohë, shoqatat e gazetarëve kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Për Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë vendimi është i palogjikshëm. Shoqata numëron një sërë procedurash ligjore që burojnë nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut, me theks të veçantë në lirinë e botimit dhe publikimit të informatave, të cilat Maqedonia i ka nënshkruar dhe ratifikuar. Por një pjesë e medias që është e afërt me qeverinë e mbështet vendimin e Prokurorisë. Madje, video-regjistrimi i një takimi midis kryeminitrit Nikolla Gruevski dhe drejtuesit opozitar Zoran Zaev që supozohej të mbahej i fshehtë, ka dalë në rrjetet sociale pikërisht nga një televizion proqeveritar. Më pas, Prokuroria bërë të ditur se publikimi i videos është bërë me lejen e saj.

Lidhja Social Demokrate e opozitës po takohet për të vendosur mbi ditën e publikimit të të dhënave që do ta komprometojnë, sipas saj, pushtetin. Zoti Zaev u ka thënë gazetarëve se është i vetëdijshëm për mundësinë e burgosjes së tij nga pushteti pas nxjerrjes së dëshmive në opinionin publik. Ai u referohet në mënyrë figurative si “bomba” materialeve, për të cilat ai thotë se janë dorëzuar nga njerëz të shërbimit sekret maqedonas dhe jo nga shërbime të huaja, ashtu siç është dëgjohet në regjistrimin e paautorizuar, t'i ketë thënë ai kryeministrit Gruevski.

XS
SM
MD
LG