Lidhje

Maqedoni: Takim Gruevski-Ahmeti


VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim njoftojnë përmes një komunikate të përbashkët për një takim të mbajtur të mërkuren midis kryetarëve të dy partive, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.
Në komunikatë nuk ka shumë hollësi, përveç njoftimit se dy drejtuesit politik e kanë vlerësuar si të lirë, demokratik dhe të ndershëm procesin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe të kenë diskutuar mbi gjendjen aktuale politike dhe sfidat paszgjedhore.
VMRO-DPMNE dhe BDI janë partnerë në qeverinë e Maqedonisë që nga viti 2008. Ndonëse VMRO-ja doli me më tepër mandate nga zgjedhjet e dhjetorit, ajo pësoi rënie të numrit të vendeve në parlament, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014, kur si e vetme kishte votat e nevojshme për ta miratuar qeverinë.
BDI me partitë tjera parlamentare shqiptare, Lëvizjen Besa dhe Aleancën për Shqiptarët, arritën një marrëveshje për avancimin e pozitës së shqiptarëve në vend, si kusht për secilën nga dy partitë maqedonase, për të hyrë me të në koalicion qeveritar. Deklarata e partive shqiptare parasheh, mes tjerash statusin shtet-formues të shqiptarëve në Maqedoni dhe zyrtarizimin e shqipes në të gjitha nivelet.
Por, VMRO-ja ka bërë të ditur para pak ditësh se nuk e pranon platformën e partive shqiptare dhe nuk ngul këmbë që me çdo kusht të formojë qeveri.
Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate, e cila mori 49 vende ligjvënësish, nuk është prononcuar në lidhje me kërkesat, që nga paraqitja e deklaratës së partive shqiptare.
Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë lënë të kuptohet se nuk duan ose nuk parapëlqejnë një koalicion qeveritar me VMRO-në.
Që të formohet qeveria e Maqedonisë, nevojiten votat e 61 deputetëve, që i bie shumica e thjeshtë në parlament. Por, kërkesat shqiptare imponojnë ndryshime kushtetuese për çka duhen dy të tretat e votave të ligjvënësve që, në bazë të rrethanave aktuale politike, nuk arrihen dot.
Zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i japin fund krizës politike dyvjeçare, si rezultat i skandalit të përgjimeve. Por, kriza nuk duket se po zbutet dhe sëkëndejmi njohësit e rrethanave parashikojnë zgjedhje të shpejta, të parakohshme, që do të mbaheshin në verë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG