Autoritetet serbe kanë marrë masa në kufirin me Maqedoninë lidhur me valën e refugjatëve nga Lindja e Mesme, duke bërë përzgjedhjen e atyre të cilët mund të kalojnë. Vetëm ata me shtetësi sirane, irakiane dhe afgane mund të vazhdojnë rrugën.
Shefi i zyrës së Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në Maqedoni Mohamed Zarif u tha mjeteve të informimit se një numër i madh familjesh kanë ngelur në mes të kufirit, se policia serbe ua pengon hyrjen, ndërsa ajo maqedonase nuk i lejon të kthehen prapë. “Ata kanë ndezur zjarre për t’u ngrohur sepse po bën shumë ftohtë. Në mesin e tyre ka gra dhe fëmijë”, tha zyrtari i UNHCR-së.
Nga ana tjetër, autoritetet maqedonase po bëjnë plane për ngritjen e një gardhi në kufirin jugor, te Gjevgjelia për të penguar dyndjen e refugjatëve të cilët vijnë përmes Idomenit të Greqisë.