Lidhje

Maqedoni: Protestë e studentëve


Mijëra studentë protestuan sot në rrugët e Shkupit për të kundërshtuar planet e qeverisë që studentët të cilët e mbarojnë universitetin t’i nënshtrohen provimit shtetëror. Studentëve të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” të Shkupit iu bashkuan edhe studentë nga Universiteti i Evropës Juglindore të Tetovës dhe nga Universiteti Shtetëror i Tetovës.

Studentët marshuan nga kampusi i universitetit në Shkup, rrugëve drejt Parlamentit dhe Qeverisë së Maqedonisë. Studentët kërcënojnë me protesta më radikale nëse qeveria nuk e tërheq propozimin për provimin shtetëror.

Ndërkohë, mjetet proqeveritare të informimit e vlerësojnë protestën e sotme si të nxitur dhe organizuar nga Lidhja Social Demokrate e opozitës dhe e ndihmuar nga Fondacioni Soros.

Qeveria e Maqedonisë e shikon futjen e provimit shtetëror si masë për shtimin e cilësisë në arsimin e lartë, pasi që shumë studentë, sipas saj, po marrin diploma pa nxënë dije. Çështja ka nxitur debate edhe në radhët e vetë pedagogëve nëpër universitetet e vendit.

XS
SM
MD
LG