Lidhje

Fati i avionit të zhdukur të Malaysia Airlines ende i panjohur


Një ndër misteret më të mëdha të aviacionit botëror vazhdon të mbetet i pazgjidhur edhe pas bërjes publike sot të raportit hetimor. Në raport thuhet se hetuesit nuk e dinë se çfarë i ka ndodhur avionit të linjës ajrore Malaysia Airlines që u zhduk katër vite më parë.

Kok Soo Chon, kreu i ekipit hetimor të fluturimit MH370, foli për gazetarët në Kuala Lumpur.

“Nuk mundëm të konkludojmë nëse avioni është drejtuar nga dikush tjetër në vend të pilotit. Por, gjithashtu nuk e përjashtojmë dot mundësinë që pati ndërhyrje të paligjshme nga një palë e tretë”, tha zoti Kok.

U tha gjithashtu se hetuesit do të kishin zbuluar se çfarë i ndodhi avionit vetëm nëse do të ishin gjetur mbetje të avionit.

“Ndër evidencën që na mungon është edhe informacioni që ruhet në paisjen e regjistrimit të të dhënave të fluturimit, si dhe në paisjet e tjera regjistruese të avionit që do të na kishin treguar arsyen përse avioni fluturoi drejt Oqeanit Indian jugor”, tha zoti Kok.

Familjarët e pasagjerëve dhe të ekuipazhit shprehën irritimin e tyre me këtë raport, duke thënë se pati boshllëqe në hetime dhe shumë pyetje të mbetura pa përgjigje.

Fluturimi MH370 u zhduk më 8 mars 2014. Avioni i tipit Boeing 777 mbarte në bord 239 persona, që udhëtonin nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit.

Qeveritë e Australisë, Malajzisë dhe Kinës ndërprenë kërkimet në janar të vitit 2017, pasi ekzaminuan rreth 119139 kilometra katrorë të tabanit të Oqeanit Indian, me një kosto prej mbi 150 milionë dollarë. Zyrtarët deklaruan në atë kohë se ndoshta vendi i përplasjes mund të ishte më afër veriut.

Pas presionit nga familjet e viktimave, qeveria malajziane arriti një marrëveshje me një kompani eksplorimi amerikane, “Ocean Infinity”, e cila rifilloi kërkimet në muajin janar të këtij viti.

Në muajin maj, kompania “Ocean Infinity” njoftoi se pati ndalur përpjekjet tre-mujore të kërkimit, pasi ekzaminoi 112 mijë kilometra katrorë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG