Lidhje

SHBA, qeveria ka përgjuar shtëpinë e ish kreut të fushatës Trump


Paul Manafort

Sipas një njoftimi të rrjetit televiziv CNN, hetuesit e qeverisë amerikane kanë përgjuar ish-kryetarin e fushatës së presidentit Donald Trump, bazuar në urdhërin e një gjykate sekrete të lëshuar para zgjedhjeve të vitit 2016 dhe pastaj përsëri pas zgjedhjeve.

Sipas një tjetër njoftimi të gazetës New York Times, agjentët federalë shtinë në dorë bravat e shtëpisë së zotit Paul Manafort gjatë një bastisje këtë verë përpara se të deklaronin se ndaj tij do të ngrihej padi, edhe pse nuk i specifikonin akuzat.

Manafort shërbeu si menaxher i fushatës Trump për dy muaj në verën e vitit 2016, por u detyrua të japë dorëheqjen pas publikimit të njoftimeve rreth marrëdhënieve të tij të biznesit me ish-udhëheqësin e Ukrainës Viktor Janukoviç.

Përgjimi i zotit Manafort, sipas CNN, filloi në vitin 2014, kur ai ishte subjekt i një hetimi të FBI-së lidhur me punën e tij si konsulent politik për partinë në pushtet të Ukrainës. Përgjimi u ndërpre në vitin 2016 për shkak të mungesës së provave, por u ri-fillua me një urdhër të ri më vonë gjatë atij viti dhe vazhdoi edhe në fillim të vitit 2017.

Sipas televizionit CNN, mandati i ri lidhej me një hetim të FBI-së rreth kontakteve midis fushatës Trump dhe rusëve.

Presidenti Trump ka akuzuar më parë administratën e ish-Presidentit Barak Obama se ka urdhëruar përgjimin e tij në Kullën Trump.

Megjithëse Manafort ka një banesë në Kullën Trump, është e paqartë nëse përgjimi është bërë aty.

FBI-ja ka konfirmuar se nuk ka dokumente ku të tregohet se Kulla Trump është përgjuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG