Lidhje

Mançester, arrestime të tjera në lidhje me sulmin terrorist


Në Mançester janë ndaluar deri tani 8 persona në lidhje me shpërthimin e së hënën, përfshi këtu dy që u arrestuan sot nga policia e qytetit në bastisje të veçanta. Në një mesazh televiziv, Kryeministrja Theresa May tha se Britania do të vazhdojë të mbajë në fuqi nivelin kritik të kërcënimeve terroriste.

Sot në Mançester u mbajt një moment heshtje për viktimat e sulmit vetvrasës të së hënës që u pasua nga një koncert.

Banorët u mblodhën në një rreth gjigand në sheshin St.Ann në nderim të viktimave ndërsa u përulën para luleve dhe qirinjëve dedikuar 22 viktimave. Autori i sulmit Salman Abedi aktivizioi një mjet shpërthyes pak momente pas koncertit të këngëtares Ariana Grande.

Pas shërbimit përkujtimor, Mbretëresha Elizabetë mbërriti në Spitalin Mbretëror të Mançesterit për Fëmijët, për të vizituar disa nga 64 të plagosurit. Shumë prej viktimave ishin fëmijë.

Deri tani autoritetet kanë ndaluar 8 persona, përfshi këtu dy të arrestuar sot nga policia e qytetit në bastisje të veçanta. Shefi i policisë në Mançester, Constable Ian Hoplins tha për median të mërkurën se është e qartë se Abedi nuk veproi i vetëm. “Është e qartë se është një rrjet që po hetojmë dhe ritmi vazhdon. Po zhvillohen hetime të zgjeruara në të gjithë qytetin.”

Policia nuk ka dhënë detaje se si të ndaluarit kanë lidhje me shpërthimin. Ramadan Abedi babai i sulmuesit me bombë, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se kishte folur me të birin pesë ditë më parë dhe se gjithçka ishte normale.

“Salman studionte në kolegjin Northenden në jug të Mançesterit. Ai nuk kishte probleme dhe ishte student i dalluar.”

Babai dhe vëllai i autorit të sulmit u arrestuan nga forcat libiane të mërkurën. Një zëdhënës i autoriteteve libiane të anti-terrorit tha se vëllai, Hashim Abedi, kishte patur kontakte kohët e fundit me Salamin dhe ishte në dijeni të planeve të tij për sulmin.

Ramadan Abedi tha për agjencinë e lajmeve Reuters se i “dënonte aktet terroriste ndaj civilëve dhe njerëzve të pafajshëm.”

Në Francë, ministri i brendshëm tha të mërkurën se agjencitë britanike dhe franceze të zbulimit kishin të dhëna se Abedi mesa duket kishte vizituar Sirinë. Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërkohë që agjencitë britanike dhe amerikane të zbulimit nuk kanë konfirmuar përfshirjen e grupit ekstremist.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG