Lidhje

Maqedoni, parlamenti fillon debatin për ndryshimet kushtetuese


Parlamenti i Maqedonisë filloi seancën për ndryshimet kushtetuese, lidhur me ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Për këtë qëllim nevojitet një shumicë e kualifikuar prej dy të tretash të numrit të deputetëve në parlament, që partitë qeveritare nuk e kanë.

Duket se partitë e pushtetit dhe ato opozitare janë ende larg afrimit për sa i përket konsensusit për emrin e ri të vendit.

Partitë e shumicës parlamentare, së bashku me partitë shqiptare të opozitës Aleanca për Shqiptarët dhe njëri krah i Lëvizjes Besa, përbëjnë 71 ligjvënës, ndërkohë që për arritjen e 2/3-ave nevojiten edhe 9 deputetë të opozitës.

Kryeministri Zoran Zaev, ofroi një lloj pajtimi në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese. "Të falim dhe të pajtohemi”, tha ai. Oferta e tij nënkuptohet si amnisti lidhur me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, 2017 në parlament, ku zoti Zaev ishte ndër më të dëmtuarit bashkë me Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët.

Në komentet e tyre në parlament, deputetët opozitarë kritikuan mungesën e bashkëpunimit dhe konsultimeve nga ana e pushtetit para nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës me Greqinë fqinje lidhur me ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG