Lidhje

Maqedoni, mbyllen votimet për referendumin


Në Maqedoni u mbyllën votimet për referendumin mbi ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Mbi 1 milion e tetëqind mijë votues janë të regjistruar, ndërsa gjysma e tyre duhet të dalë në votime që referendumi të shpallet i vlefshëm.

Referendumi në Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Mbi 450 mijë duhet të votojnë pro, që referendumi të kalojë.

Është njoftuar për incidente të vogla të cilat nuk shihen si të rëndësishme për ecurinë e votimit. Pjesëmarrja deri në orët e pasditës nuk shikohet si e kënaqshme.

Ky është referendumi i dytë që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, duke përjashtuar një referendum të shqiptarëve në vitet nëntëdhjetë për kantonizimin e vendit që nuk u njoh nga autoritetet.

Referendumi i së dielës shikohet si historik për shkak të mundësisë së integrimit në NATO dhe afrimit me BE-në, apo rrezikut të izolimit, nga ana tjetër.

Struktura kundër referendumit dhe të afërta me Federatën Ruse nuk kanë pushuar gjatë fushatës për t’i bindur maqedonasit që ta bojkotojnë referendumin.

Koalicioni “PËR Maqedoninë evropiane”, ku bëjnë pjesë partitë e pushtetit, shpreson se suksesi do të arrihet dhe vendi do të ecë drejt integrimit euro-atlantik.

Kryeministri Zoran Zaev, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate e cilësoi të dielën si një dtë të vërtetë feste. Ai votoi në vendlindjen e tij, Strumicë në juglindje të Maqedonisë.

“Unë sot pres që përmes daljes në masë të votuesve të rikonfirmohet uniteti shumetnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm i qytetarëve pa marrë parasysh përcaktimet e tyre politike”, - tha zoti Zaev duke nënvizuar pritjet që parlamenti të ndjekë vendimin e shumicës së qytetarëve që do të jetë një drejtim i qartë se “në cilin drejtim duhet të lëvizë vendi”.

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE, e cila e kundërshton marrëveshjen me Greqinë, ndonëse nuk bëri thirrje publike për bojkotimin e referendumit, në mënyrë të tërthortë ua pati bërë me dije përkrahësve të saj se referendumi bëhej në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

Interesi i vëzhguesve dhe sidomos i medias së huaj ishte i dukshëm.

Ambasadori Jan Petersen, shef i misionit të vëzhguesve të Zyrës për Institucione Demokratike – ODIHR, vizitoi një qendër votimi në Shkup. Ai tha se vëzhguesit e misionit janë të ndarë në 100 ekipe, secili me nga dy anëtarë, ose gjithsej dyqind vëzhgues.

“Kemi pasur dhjetë ekipe të vëzhguesve afatgjatë për më shumë së një muaj këtu; ata kanë vëzhguar procedurat e tjera të organizimit zgjedhor, administratën, legjislaturën dhe gjendjen e medias”, tha ambasadori Petersen.

Misioni nesër pritet të bëjë vlerësimet e para për procesin e ditës së diel.

Në orët e paraditës është vërejtur një shkallë më e lartë e daljes së votuesve në komunën Qendër të Shkupit, ndërsa më e ulët në rajone rurale të Maqedonisë lindore, sipas njoftimeve të Komisionit Shtetror të Zgjedhjeve.

Në një qendër votimi në Shkup ka pasur një sulm ndaj policëve dhe kërcënime ndaj votuesve; Autoritetet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve thanë se parregullsitë e raportuara janë të vogla dhe joserioze për të prishur procesin.

Kutitë e votimit mbyllen në orën shtatë të mbrëmjes. Pastaj fillon numërimi i votave dhe ky proces zakonisht zgjat disa orë. Rezultati i parë jozyrtar mund të mësohet pak para mesnatës.

Maqedonia ka pak mbi 1 milionë votues. Në mënyrë që referendumi të quhet i vlefshëm, gjysma e tyre duhet të dalin për të votuar. Që referendumi të kalojë, mbi 450 mijë duhet të kenë votuar në favor të pyetjes: A jeni për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO duke përkrahur marrëveshjen në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG