Lidhje

VMRO-DPMNE mbyll bojkotin, kthehet në parlament për votëbesimin ndaj qeverisë


Në Maqedoni, partia opozitare VMRO-DPMNE i dha sot fund bojkotit disa muajsh të parlamentit, duke u kthyer në debatin për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev. VMRO-ja akuzon qeverinë për shtimin e kriminalitetit, të dukurive të tjera negative në vend dhe për rënien e ekonomisë. Ndërkaq, ligjvënësit e Lidhjes Social Demokrate në pushtet kundërpërgjigjen se “vendi u shkatërrua në dhjetë vjetët e fundit nga qeveritë e VMRO-së dhe se qeverisë i duhet kohë për të ndrequr dëmtimet e viteve të kaluara”. VMRO-ja megjithatë nuk i ka votat për ta rrëzuar qeverinë.

Mocion votëbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Zaev
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Partia konservatore VMRO-DPMNE zgjodhi që përmes ngritjes së mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë të kthehet në punimet e parlamentit, të cilin e bojkotoi për më tepër se tre muaj që nga arrestimi i deputetëve të saj të akuzuar për pjesëmarrjen dhe orkestrimin e trazirave të dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në institucionin më të lartë ligjvënës.

Deputetët opozitarë maqedonas thonë se pushteti e shndërroi Maqedoninë në shtetin më te pasigurtë në Evropë; Se qytetarët janë bërë viktima të plaçkitjeve të përditshme, të sulmeve me armë, të shantazhit, zhvatjeve dhe dhunës që kalojnë pa dënime.

Nuk luftohet kriminaliteti dhe korrupsioni në radhët e zyrtarëve qeveritarë. Tenderat bëhen në katër sy”, akuzojnë deputetët e VMRO-së.

Dragan Danev, kryetar i grupit të deputetëve opozitarë akuzoi se institucionet janë politizuar ndërsa profesionistët po përjashtohen nga puna.

“Ndaloni dëbimin e njerëzve të pafajshëm nga puna”, tha Danev. “Parlamenti, shtoi ai, e solli ligjin e gjuhëve në kundërshtim me procedurat parlamentare, se pushteti po burgosë deputetë opozitarë pa ua hequr imunitetin dhe se ekonomia po përjeton cunami”, siç u shpreh.

Ndërkaq, Tomisllav Tuntev, bashkërendues i grupit të deputetëve të Lidhjes Social Demokrate tha se brenda dhjetë ditësh do të ketë një raport pozitiv të progresit për Maqedoninë nga Komisioni Evropian dhe se vendi po i realizon me sukses reformat e duhura për integrim në strukturat euro-atlantike.

“Kjo mënyrë e kthimit në parlament paraqet një përpjekje dëshpëruese të deputetëve të VMRO-së”, tha zoti Tuntev.

Ndërkaq, deputetët shqiptarë kanë qëndruar të qetë, pa u përfshirë shumë në debat lidhur me mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë.

Deputetët e Lëvizjes Besa kanë lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesin mocionin, ndërsa dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët nuk janë prononcuar se çfarë qëndrimi do të marrin gjatë votimit.

Debati pritet të zgjasë deri vonë në mbrëmje dhe pas diskutimeve, do të flasë kryeministri Zoran Zaev.

Opozitës maqedonase i nevojitet një shumicë e thjeshtë prej 61 votash për rrëzimin e qeverisë, që ajo nuk e ka. Shumica parlamentare me mbështejen edhe të partive shqiptare që nuk bëjnë pjesë në qeveri dhe të deputetëve të pavarur ka mbi 65 vota në palamentin prej 120 vendeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG