Lidhje

Trafiku i drogës  zhvendoset drejt Gumenicës


Policia greke tha se zhvilloi katër operacione afër kufirit me Shqipërinë për të bllokuar sasi droge. Gjatë një operacioni në kufirin verior grek afër Pikës së Kapshticës policia greke bllokoi 120 kilogramnë marijuanë dhe arrestoi katër shtetas nga Shqipëria. Droga u gjet në shtatë çanta udhëtimi dhe të arrestuarit do të dalin përpara një gjykate në Selanik për transportim të drogës.

Operacioni i dytë u zhvillua rrugën Janinë - Kozani ku policia greke bllokoi 10 kilogramë marijuanë. Dy operacionet e tjera u zhvilluan në Portin e Gumenicës. Në njërin operacion policia greke gjeti, në një kamion që po udhëtonte drejt Portit të Ankonas, në Itali, 2 kilogramë kokainë.

Në një tjetër operacion, po në këtë Port, policia greke bllokoi 102 kilogramë marijuana, që kishte si destinacion Italinë. Sipas policisë greke marijuana ishte paketuar në 92 pako dhe u gjet në një mjet furgon që drejtohej nga një shtetas italian 51vjeçar.

Qyteti port i Gumenicës, rreth 30km larg kufirit shqiptar, po kthehet kohët e fundit në një epiqendër të trafikantëve të drogës. Sasi të marijuanës që arrijnë nga Shqipëria përmes kufirit tokësor synohen të transportohen përmes mjeteve detare drejt Italisë. Në Pikën e Qafëbotës, që lidh të dy vendet, policia shqiptare dhe greke kanë bllokuar javët e fundit dhjetëra kilogramë narkotikë, ndërkohë që sasi të tjera dërgohen me korrierë shqiptarë, apo grekë nga brezi tokësor. Trafikantë grekë, shqiptarë dhe italianë janë përfshirë siaps hetimeve policore në një përpjekje intensive për të kaluar drejt brigjeve italiane, por edhe vendeve të tjera europiane, sasitë e narkotikëve që u kultivuan në Shqipëri vitin e shkuar.

Në fundjavë roja bredgetare greke mblodhi në det rreth 2 tonë marijuanë ndërkohë që tre trafikantët që po e dërgonin drogën drejt Italisë arritën t`i shpëtonin mjeteve policore të lundrimit duke u kthyer me skafin e tyre në kufirin tokësor shqiptar pasi e hodhën drogën në det. Trafiku i drogës ka rikthyer sipas specialistëve të antidrogës rrjetet e vjetra të trafikut të cilat financojnë shuma të mëdha për të blerë dhe trafikuar lëndë narkotike.

XS
SM
MD
LG