Lidhje

Policia nis operacionet për marijuanën  në terren


Policia e Gjirokastrës tha të mërkurën se ka nisur operacionet në terren për të luftuar kultivimin e narkotikëve.Sipas burimeve zyrtare një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në një fshat në afërsi të Tepelenës ku u gjetën dhe u shkatërruan 6.000 fidanë marijuane. Policia nuk ka dhënë detaje për operacionin, që shënon edhe rastin e parë për këtë vit të ndërhyrjeve në terren. Tepelena është një nga zonat ku dyshohet se dhjetëra vatra janë mbjellë me bimën narkotike të marijuanës, kryesisht në terrenet e thyera malore të këtij rrethi.

Sfida e policisë me kutlivimin e marijuanës këtë vit

Ekspertë e antidrogës e kanë të vështirë të përcaktojnë përmasat ekulivimit pasi në këtë fazë marijuna mbillet në kubikë në mjedise të vogla dhe të mbyllura. Zyrtarë të lartë të policisë, nisur edhe nga shqetësimet në mjaft zona të Shqipërisë, kanë paralajmëruar fillimin e operacioneve në terren më herët se vitet e tjera dhe monitorimin nga ajri që kryhet në bashkëpunim me policinë italiane. Policia shqiptare e vlerëson aktivitetin e kultivuesve të narkotikëve “në tentativë” por nëse sasitë e kultivuara, kryesisht në shtëpitë e banorëve, do të zhvendosen në vatra të gjera, ato mund të kthehen në një sfidë për policinë në sigurinë dhe rendin në mjaft zona. Kultivimi i marijuanës, sipas policsë, ndesh disa forma në Shqipëri, nga oborret evogla të banorëve, në vatra më të gjera dhe deri tek serat diellore në zonat e Shqipërisë së Mesme. Këtë vit janë shfaqur në raste të shtuara edhe format e kultivimit të bimëve me ndriçim artificial në laboratore të mbyllura. Format më të rrezikshme të kultivimit të marijuanës janë për policinë ato që financohen nga rrjetet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë jashtë vendit dhe që financojnë në Shqipëri hapjen dhe kutivimin e sipërfaqeve, kryesisht në zona të thella malore. Ekspertët e antidrogës vlerësojnë se kultivimi i marijuanës nga këto grupe është një proces që shoqërohet me ruajtje të sipërfaqeve nga persona të armatosur dhe me përdorimin e fiancimeve për “të blerë” inspektorë të policisë së zonave apo personat që e kanë të detyruar me ligj të japin informacion.

Transportimi i marijuanës

Greqia është shënjestra kryesore e trafikanëtve shqiptarë të narkotikëve për shkak të kufirit të gjatë dhe të thyer tokësor por edhe distancave të shkurtra në hapësirën detare mes Sarandës dhe ishullit grek të Korfuzit.Greqia njihet edhe për numrin e lartë të përdoruesve, kryesisht gjatë sezonit veror, kur miliona turistë mbërrijnë në brigjet e vendit fqinj.Vetëm ditët e fundit policia e Ishullit të Korfuzit ka sekuestruar mbi një tonë e gjysëm marijuanë e cila dyshohet se u shkarkua nga një skaf shqiptar që po ndiqej nga policia italiane dhe hyri në ujrat greke. Sasi të tjera më të vogla marijuane bllokohen gati çdo javë edhe në zonën kufitare të Janinës dhe Gumenicës . Sipas policisë greke njihet tashmë bashkëpunimi i rrjeteve të trafikut në të dy vendet por në të shumtën e herës në operacione policore bllokohen korrierët e narkotikëve të cilët shpërblehen në shuma të vogla për të kaluar sasi të mëdha marijuane nga ana shqiptare në anën greke.

Disa gramë marijuanë në kufi rrezikojnë vite burg

Disa raste të shtuara kohët e fundit në Pikat e Kalimit kufitar të Shqipërisë me Greqinë flasin për bllokimin e personave me sasi prej disa gramësh marijuane të cilët rrezikojnë disa vite burg. Kjo pasi Kodi Penal shqiptar parashikon ndëshkim me burgim edhe kur sasia e marijuanës së bllokuar është në disa gramë.Rastet sipas kodit penal trajtohen sipas Nenit 285 të Kodit Penal i cili parashikon se “ Prodhimi, mbajtja, transporti ose shpërndarja e substancave narkotike” … dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet burg. Rasti më i fundit ishte ai i një 27 vjecari shqiptar që u ndalua të martën në Pikën e Kakavijës me 2, 6 gramë marijuanë ,ndërsa një shtetas francez i ndaluar pak kohë më parë në kufi, po me disa gramë marijuanë, pret në qelitë e paraburgimit shqyrtimin e çështjes. Raste të tilla sipas avokatëve shqiptarë vijnë kryesisht nga shtetas të huaj, apo shqiptarë që jetojnë prej vitesh jashtë vendit, të cilët nuk e njohin legjislacionin shqiptar dhe janë përdorues të marijuanës.

XS
SM
MD
LG