Lidhje

Në prag të martesës së Princit Harry me amerikanen Meghan Markle


Dita e madhe pothuajse ka mbërritur për Princin Harry të Britanisë dhe Meghan Markle - çifti do të martohet të shtunën në qytetin Windsor, shumë pranë Londrës. Ish-aktorja amerikane konfirmoi këtë javë se babai i saj nuk do të marrë pjesë në ceremoni për shkak të shëndetit të dobët, pas disa ditë spekulimesh për pjesëmarrjen e tij. Turistë të shumtë priten në qytet, të cilët dëshirojnë të shohin për një çast të shkurtër çiftin mbretëror. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, që nga operacione e sigurisë, tek përgatitja e ushqim dhe luleve, dita shënon kulmin e disa muaj përgatitjesh:

Kapela mahnitëse e Shën Gjergjit e shekullit të 14-të në kështjellën Windsor - me të cilën Princi Harry u pagëzua dhe tani do të martohet me Meghan Markle-n.

Janë ftuar rreth 600 pjesëmarrës - kryesisht ata që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me çiftin.

Përveç kësaj, në kopshtin e kështjellës - vendi kryesor për të parë pjesëmarrësit e dasmës, do të ketë më shumë se dy mijë e 500 të ftuar nga publiku.

"Për mua kjo ishte e habitshme dhe shumë prekëse sepse aq sa nuk u pëlqen ndërhyrja e mediave, familja mbretërore ka ftuar mediat, ka ftuar publikun dhe duan të ndajnë ditën e tyre të veçantë ", thotë Thomas Mace-Archer-Mills me Shoqatën e Monarkisë Britanike.

Katër anëtarë të Fondacionit Myna Mahila me seli në Mumbai janë ftuar në ceremoni. OJQ-ja ofron produkte sanitare në lagjet e varfëra të qytetit indian - dhe u vizitua nga Meghan Markle vitin e kaluar. Ajo është një nga shtatë organizatat bamirëse, për të cilat çifti u ka kërkuar të ftuarve t’u dhurojnë fonde, në vend të dhuratave në dasëm.

"Ne përfaqësojmë jo vetëm organizatën, por edhe gratë në lagjet e varfëra rurale dhe qytete në Indi. Është një përgjegjësi e lartë dhe shumë presion", thotë Suhani Jalota, themeluese e Fondacionit Myna Mahila.

Më shumë se 100,000 njerëz pritet të dalin në rrugët e Windsor-it. Shumë prej tyre kanë ardhur herët për të zënë vendet më të mira.

"Çdo vajzë e vogël ka lexuar përrallat e fëmijërisë nga nëna e saj dhe gjithmonë ka ëndërruar të bëhet princeshë dhe të jetojë në një kështjellë. Dua të them, kjo është përralla e vërtetë”, thotë Donna Werner, vizitore nga Kënektikati.

Në ndryshim nga tradita, nusja nuk do të ketë një shoqëruese nderi.

Nipi i Harry-it, Princi George dhe mbesa e tij Princesha Charlotte do të shoqërojnë nusen, së bashku me disa anëtarë të familjes së Meghan Markle.

Në kuzhinat e Kështjellës Windsor, 30 kuzhinierë do të përgatisin banketin për 600 mysafirët e dasmës.

Kjo mund të nënkuptojë disa surpriza amerikane në mes të menusë britanike.

Mijëra oficerë policie janë angazhuar në një nga operacionet më të mëdha të sigurisë në vitet e fundit, paguar nga publiku - një faturë që kundërshtohet nga disa mospajtues të monarkisë.

Mbështetësit argumentojnë se martesa mund të sjellë të ardhura të mëdha nga vizitorët dhe ata që do ta ndjekin ceremoninë në bare dhe në ekranet e mëdha në të gjithë vendin.

Miliona njerëz pritet ta ndjekin ceremoninë në të gjithë globin – duke pritur të shohin një ndërthurrje të elegancës mbretërore me magjepsjen e Hollivudit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG