Lidhje

Marrëdhëniet e tensionuara mes Turqisë dhe Francës mund të ndikojnë në rajon


Marrëdhëniet e tensionuara mes Turqisë dhe Francës mund të ndikojnë në rajon
Marrëdhëniet e tensionuara mes Turqisë dhe Francës mund të ndikojnë në rajon

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Dautollu hodhi poshtë me vendosmëri një kërkesë që Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i bëri Turqisë për të pranuar të shkuarën e saj.

Zoti Dautollu tha se asnjë shtet me një të shkuar koloniale nuk mund t’i japë Turqisë leksione mbi përballjen me historinë. Zoti Dautollu tha se do të ishte mirë nëse Franca përballet me të kaluarën e vet.

Ankaraja thotë se vrasjet në masë të armenëve midis vitit 1915 dhe 1923 ishin rezultat i trazirave gjatë Luftës së Parë Botërore dhe shembjes së Perandorisë Osmane. Por Armenia, së bashku me një pjesë të madhe të komunitetit ndërkombëtar, thotë se ishte gjenocid.

Zoti Sarkozy, gjatë një vizite në Armeni javën e shkuar, u shpreh se duhen krijuar ligje që të konsiderojnë si kriminelë mohuesit e gjenocidit.

Presidenti francez gjithashtu preku një tjetër argument tensionues midis vendit të tij dhe Ankarasë, duke përsëritur kundërshtimin ndaj kërkesës së Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, me arsyetimin se Turqia nuk është një vend evropian. Ky kundërshtim ka sjellë një keqësim të shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe.

Çengiz Aktar, i Universitetit Bahçesehir në Stamboll, është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Politikanë të rangut të lartë si Nicolas Sarcozy po hedhin baltë mbi këtë vend. Kjo nuk është mënyra e përshtatshme për t’u sjellë me një partner të ardhshëm.”

Qeveria turke ka refuzuar komentet e fundit të zotit Sarcozy, duke i cilësuar ato si pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm. Por, Sinan Ulgen, ish-diplomat turk dhe studiues i Institutit Carnegie për Evropën, thotë se personalitetet e dy udhëheqësve po ndihmojnë në polarizimin e diplomacisë midis dy vendeve.

“Të dy politikanët janë pak a shumë të ngjashëm. Të dy ata njihen si njerëz me personalitet të fortë dhe që të dy kanë programe të ngjeshura. Për këtë arsye, kur ata janë bashkë, kjo përplasje personalitetesh dëmton seriozisht marrëdhëniet.”

Zoti Ulgen thotë se tensionet dypalëshe po shfaqen tani edhe në vendet e Pranverës Arabe, duke thelluar kështu ndarjen midis Francës dhe Turqisë.

“Kohët e fundit, pas fillimit të Pranverës Arabe, ne kemi parë një rivalitet midis Francës dhe Turqisë, kryesisht kur Turqia kërkoi të rriste ndikimin e saj politik dhe ekonomik në rajon. Franca duket e kërcënuar prej manovrave të Turqisë sepse në disa prej këtyre vendeve ajo zotëron një pozicion të privilegjuar, që tani po sfidohet nga Turqia.”

Muajin e kaluar, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdohan, në një fjalim para Lidhjes Arabe, në Kairo, foli në një mënyrë që u cilësua gjerësisht si një sulm i maskuar ndaj Francës.

"Shtetet arabe duhet të kenë kujdes nga forcat që përpiqen t’i përçajnë ato. Turqia është gjithmonë e gatshme të ndihmojë të gjitha ato vende që kanë nevojë për ndihmë dhe se ajo nuk është e motivuar nga pasuritë e rajonit – duke nënkuptuar kështu pasuritë energjitike të Libisë."

Parisi dhe Ankaraja janë në garë për të vendosur ndikimin e tyre mbi Tripolin. Muajin e kaluar, udhëheqësit francezë dhe ata turq vizituan veç e veç kryeqytetin libian në të njëjtën ditë. Ish-diplomati turk Ulgen thotë se kjo konkurrencë shtrihet edhe më gjerë në rajon dhe se ajo mund të jetë e dobishme. Por ai pranon se ajo përmban edhe rreziqe.

“Kjo konkurrencë në rritje do të ndihmojë rritjen ekonomike të rajonit. Por, politikisht, fakti që Franca dhe Turqia nuk bashkëpunojnë mund të ndërlikojë gjërat, sidomos nëse komunitetit ndërkombëtar, si njësi e vetme, do t’i duhet të ndihmojë këto vende në tranzicionin e tyre drejt një demokracie më të mirë. Në këtë kuadër, një bashkëpunim midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian në përgjithësi, por edhe midis Turqisë dhe Francës në veçanti, do të ishte mjaft frytdhënës – dhe kjo duket si diçka që nuk ka të ngjarë të ndodhë.”

Në një moment kur rajoni ndodhet në një pikë të brishtë dhe të rëndësishme të historisë, analistët thonë se tensionet në marrëdhëniet dypalëshe midis Francës dhe Turqisë mund të shndërrohen në një tjetër faktor paqëndrueshmërie.

XS
SM
MD
LG