Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi, nuk ka gjasa të dëmtohen nga presidenca e Putinit


Marrëdhëniet SHBA-Rusi, nuk ka gjasa të dëmtohen nga presidenca e Putinit
Marrëdhëniet SHBA-Rusi, nuk ka gjasa të dëmtohen nga presidenca e Putinit

Presidenti rus Dmitri Medvedev do të këmbejë postet vitin e ardhshëm me kryeministrin Vladimir Putin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera analizon ndikimin që mund të ketë ky ndryshim tek marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Analistët politikë të çështjeve ruse thonë se nuk ishte befasi që Vladimir Putini vendosi të kandidojë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, për të zëvendësuar Dmitri Medvedevin që pritet të bëhet kryeministër në qeverinë e re. Analistët thonë se zoti Putin e ka të garantuar fitoren sepse opozita politike është izoluar dhe udhëheqja ruse kontrollon pjesën më të madhe të medias.

Këto zhvillime kanë bërë që të lindin pyetje lidhur me ndikimin që që presidenca e re e Putinit do të ketë tek marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner jep këtë vlerësim.

“Ajo që ka rëndësi është se vendimi se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i Rusisë i takon popullit rus. Ne nga ana jonë do të punojmë me cilindo President të ardhshëm, sepse ne besojmë që është në interesin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, si edhe të botës, që ne të punojmë së bashku”.

Shumë analistë thonë se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë të mira krahasuar me vitin 2008 kur Rusia hyri në një luftë të shkurtër me Gjeorgjinë. Që atëherë, nën presidencën e Medvedevit, Uashingtoni dhe Moska kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për kontrollin e armëve dhe bashkëpunimi është rritur për çështje si Afganistani, Irani dhe Libia.

Robert Legvold, një ekspert i çështjeve ruse në Universitetin Columbia thotë se marrëdhëniet SHBA-Rusi po përparojnë ngadalë.

“Por nga ana tjetër është edhe shumë e brishtë. Nuk është e garantuar që përparimi do të vazhdojë. Mund të ndalet nga rrjedha e ngjarjeve ndaj të cilave njëra nga palët ose të dyja mund të reagojnë në mënyrë të ekzagjeruar, ose ndoshta vetë ngjarjet mund të justifikojnë një reagim të ashpër”.

Legvold thotë se kjo marrëdhënie mund të ndikohet nga rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

“Rezultati i zgjedhjeve në Rusi është i ditur. Në Uashington, në administratën e Presidentit Obama, pritet që të ketë vazhdimësi në politikën e Rusisë, vazhdimësi që rrjedh nga zgjedhjet e marsit. Por mendoj se është shumë e vështirë që të parashikohet nëse do të ketë vazhdimësi në zgjedhjet e 2012-ës në Shtetet e Bashkuara”.

Shumë ekspertë janë të një mendjeje me Legvoldin se nuk do të ketë ndonjë ndryshim real në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë me Vladimir Putinin në postin e Presidentit.

Methju Rojanski në Fondacionin Carnegie për Paqen, thotë se edhe si kryeministër zoti Putin nëse nuk merrte vendimet për gjithçka, të paktën miratonte vendimet kyçe të lidhura me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

“Për shembull, nuk mendoj se do të ketë tërheqje nga marrëveshja e re START, as nga bashkëpunimi për Afganistanin. Rezoluta e OKB-së për Libinë, që Rusia nuk e bllokoi ishte një vendim i vështirë dhe Putini pa dyshim që ka pasur rezerva të cilat i ka shprehur. Por është e qartë që ai arriti një konsensus me Medvedevin për këtë pikë. Të dy ata veprojnë si një njësi e vetme”.

Rojanski beson se ndonëse thelbi i marrëdhënieve SHBA-Rusi mund të mos ndryshojë, toni mund ndryshojë.

“Obama ka investuar në këtë marrëdhënie dhe ishte e kuptueshme. Ishte relativisht e thjeshtë për të sepse si ai si Medvedevi kanë gjëra të ngjashme, sepse të dy janë juristë, i tërheq teknologjia dhe kanë një këndvështrim globalist. Putin nuk e ka një gjë të tillë. Dhe nuk më duket se Putini dhe Obama do ta çojnë përpara marrëdhënien e tyre thjesht me forcën e personalitetit apo interesit tek njëri-tjetri”.

Analistët besojnë se një gjë është e sigurt: marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë është përmirësuar me kalimin e viteve dhe thonë se një kthim tek ditët e mbushura me tension të Luftës së Ftohtë është praktikisht i pamundur.

XS
SM
MD
LG