Lidhje

Marrëveshja bërthamore me Iranin


Zyrtarë të lartë të administratës Obama u përballën sot me një seancë të vështirë pyetje-përgjigjesh në Senat për marrëveshjen bërthamore të arritur me Iranin këtë muaj në Vjenë. Ishte seanca e parë dëgjimore publike për këtë marrëveshje që Kongresi duhet ta refuzojë ose pranojë deri në mesin e muajit shtator.

Gjatë dëshmisë së tij, Sekretarit të Shtetit, John Kerry, iu tha nga Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, Bob Corker, se “është mashtruar” prej iranianëve. Zoti Kerry u përgjigj se “ata tashmë kanë arritur çfarë dëshirojnë... çështja është si ta zmbrapsim programin e tyre”.

Zoti Kerry u shpreh më herët se ai beson se marrëveshja bërthamore do ta bëjë botën më të sigurtë.

“Jemi të bindur se marrëveshja që kemi arritur së bashku me fuqitë e tjera botërore, do t’i pengojë Iranit mundësinë e sigurimit të një arme bërthamore,” tha ai.

Marrëveshja do të heqë sanksionet ndaj Iranit, në shkëmbim të një reduktimi të programit të tij bërthamor.

Së bashku me zotin Kerry, në seancë dëshmuan edhe Sekretari i Energjisë, Ernest Moniz, dhe Sekretari i Thesarit, Jack Lew. Zyrtarët e lartë, të cilët ishin arkitektët kryesorë të marrëveshjes bërthamore, zhvilluan gjithashtu dje takime private me ligjvënës në Uashington.

Një ditë para seancës dëgjimore, Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, premtoi se republikanët, të cilët kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, nuk do të kursejnë asgjë për të rrëzuar marrëveshjen.

“Për shkak se një marrëveshje e keqe kërcënon sigurinë e popullit amerikan, ne do të bëjmë ç’të mundemi që ta bllokojmë”, tha zoti Boehner.

Nëse marrëveshja refuzohet, Presidenti Barack Obama është zotuar të vendosë veton.

Për të rrëzuar veton e tij, do të duhet në vijim një maxhorancë prej dy të tretash në të dyja dhomat e Kongresit, çka do të kërkonte që edhe demokratë të partisë së zotit Obama t’u bashkoheshin republikanëve për të refuzuar marrëveshjen.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, u takua këtë javë me zyrtarët në Izrael dhe Arabinë Saudite, me synimin për të zbutur shqetësimin e disa udhëheqësve të atjeshëm, të cilët i frikësohen një çrregullimi të mëtejshëm prej kësaj marrëveshjeje të këtij rajoni të trazuar.

XS
SM
MD
LG