Lidhje

Marrëveshje historike bërthamore me Iranin


Fuqitë botërore arritën një marrëveshje me Iranin që kufizon programin bërthamor të vendit në këmbim të heqjes së sanksioneve, duke i dhënë fund më shumë se një dekade negociatash të vështira.

Presidenti amerikan Barack Obama e vlerësoi marrëveshjen dhe tha se do t’i vendoste veton çdo legjislacioni në Kongres që do të synonte bllokimin e saj.

Presidenti Obama foli menjëherë pasi u bë publike në Vienë arritja e marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje tregon se diplomacia amerikane mund të sjellë ndryshim real dhe të thellë, një ndryshim që e bën vendin tonë dhe botën më të sigurt”.

Presidenti tha gjithashtu se një marrëveshje afatgjatë nuk do ta lejojë Iranin që të sigurojë një armë bërthamore dhe theksoi se ajo nuk është ngritur mbi besimin, por mbi verifikimin.

“Kam besim se kjo marrëveshje do të përmbushë interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Prandaj unë do t’i vë veton çdo legjislacioni që pengon zbatimin e suksesshëm të kësaj marrëveshjeje”.

Presidenti Obama i referohej kundërshtimit të republikanëve në Kongres ku ata kanë shumicën dhe kanë thënë se do të votojnë kundër marrëveshjes pas periudhës 60 ditëshe të shqyrtimit.

Presidenti Obama foli pas deklarimit nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Ministrit të Jashtëm Iranian Javad Zarif, pas javësh bisedimesh intensive për të përpunuar detajet e marrëveshjes, e cila parashikomn reduktimin e programit bërthamor të Teheranit dhe mbikqyrjen nga agjencia bërthamore e OKB-së të tij.

Zonja Mogherini tha se marrëveshja është e ekuilibruar dhe respekton interesat e të gjitha palëve të përfshira në bisedime.

“Me kurajo, vullnet politik, respekt reciprok dhe udhëheqje, ne realizuam atë që po shpresonte bota: një angazhim i përbashkët për paqen dhe bashkëpunim për ta bërë botën më të sigurt”.

Presidenti Iranian Hassan Rouhani tha se marrëveshja hap një kapitull të ri bashkëpunimi me botën.

“Jam i lumtur që Republika Islamike e Iranit, pas 23 muajsh negociatash me gjashtë fuqitë kryesore të botës, arritëm sot në një pikë kthese”.

Negociatat u kryen nga Irani dhe i ashtuquajturi grupi P5+1 që përfshin Britaninë e Madhe, Kinën, Francën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë.

Palët punuan për një kuadër që synonte të siguronte që programi bërthamor i Iranit të ishte paqësor dhe të mos përdorej për zhvillimin e armëve bërthamore, pjesërisht duke pakësuar numrin e centrifugave të avancuara të Teheranit, sipas zyrtarëve të lartë të administratës amerikane.

Një nga pikat e vështira të marrëveshjes u zgjidh me krijimin e një mekanizmi që lejon Kombet e Bashkuara të kërkojnë të verifikojnë por që i jep të drejtën Iranit që të mos ta lejojë menjëherë një gjë të tillë. Iranit do t’i lejohet që ta apelojë kërkesën e OKB-së përmes arbitrazhit.

Irani ka ngulur këmbë për një kohë të gjatë se programi i tij ka qëllime civile dhe kërkesa kryesore e tij ishte që të hiqen sanksionet ekonomike të vendosura nga Kombet e Bashkuara dhe shtetet e ndryshme veç e veç.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry foli me Presidentin Obama pak para mesnate për të diskutuar marrëveshjen.

Në një moment në fund të negociatave, Ministri i Jashtëm Iranian Zarif, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini dhe Sekretari Kerry u kërkuan delegacioneve të tyre që të largoheshin nga tryeza në Pallatin Coburg kur për më shumë se dy javë grupi kishte diskutuar detajet që rrezikonin dështimin e marrëveshjes.

Negociuesit në Vjenë tejkaluan disa afate derisa po punonin në çështje të rëndësishme siç janë qasja e inspektorëve në Iran dhe për ritmin e heqjes së sanksioneve.

Marrëveshja e së martës paraqet një kompromis historik pas një bllokadë 12 vjeçare që kërcënonte të nxiste një konflikt në Lindjen e Mesme.

Ajo do të hyjë në fuqi vetëm pasi të jenë hequr disa nga pengesat në Uashington dhe në Teheran. Konservatorët nga të dyja palët kanë kundërshtuar kompromiset e nevojshme për arritjen e marrëveshjes.

XS
SM
MD
LG